Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestimi i Muharremit dhe dy zyrtarëve në MINT ‘alarmon’ pozitë e opozitë – A duhet të dorëhiqet ministrja?

 
   

Dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Industrisë dhe Ridvan Muharremi, të cilët u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore, kanë përfunduar në paraburgim të shtunën. Ata dyshohen për përfshirje në këtë aferë, që u zbulua pas përgjimeve të publikuara nga Nacionale. Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta dhe kritika ndaj Qeverisë, ndonëse kryeministri Albin Kurti u ngut të deklaronte se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi” pa u marrë një vendim i prerë nga Gjykata.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi të shtunën se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për tre të dyshuarit.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake e ka aprovuar kërkesën.. për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit I.L, H.G dhe R.M… për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

MINT-i njoftoi të premten se policia i bastisi zyrat e dy zyrtarëve të vet të lartë: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

Hajdari akuzoi policinë për mosprezantimin e certifikatës për dokumentet sekrete

Në një konferencë për media pasditen e së premtes, ministria e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Hajdari shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, ndërkaq u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje: “Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin, por refuzoi të japë detaje për rezervat shtetërore .

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Kryeministri Albin Kurti e mbrojti ministren e vet dhe i hodhi poshtë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtatore të premten vonë.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren [e Industrisë] Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti në një video në profilin e vet në Facebook.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet të pritet epilogu i rastit.

“Për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Në këtë moment, nga informatat që i kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”.

Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Po mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, a është ky ndryshimi i njëmendtë?

Në një video-adresim të fundit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, ka ngritur shqetësime të mëdha dhe ka kritikuar ashpër pushtetin në lidhje me këto arrestime.

Sipas dosjes së Prokurorisë përveç procedurave të paligjshme të ndjekura gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, janë evidentuar edhe shkelje të tjera, pasi mallrat e paguara nuk kanë mbërritur në territorin e Kosovës duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit në vlerë 601 mijë euro.

Abidixhiku ka bërë thirrje për ndryshim derisa ka akuzuar pushtetin për praktika të korruptuara të dhënies së tenderëve për miqtë e tyre.

“Një politikan që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. Një mik politikani që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, dhe vendosë t’i marrë – siç na thotë politikani vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka deklaruar Abdixhiku.