Pas më shumë se një jave në arrati, i dyshuari për vrasjen e 47-vjeçarit, Anton Prela, në lokalin ‘Coyote Lounge Bar’ në Klinë, Tush Frroku, është dorëzuar tek Policia e Koosvës.
Policia ka dalë me njoftim për arrestimin e Frrokut, ku thuhet se pas një pune intensive sot është arritur që të lokalizohet vendndodhja e tij dhe i njëjti është arrestuar.
“Pas njё pune intensive tё Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP Pejё, tё asistuar edhe nga njësitet tjera tё Policisё sё Kosovёs, sot me datё 15.08.2023 kemi arritur ta lokalizojmë lokacionin e personit tё dyshuar dhe i njëjti ёshtё arrestuar.
I dyshuari ёshtё kёrkuar edhe pёrmes kёrkesёs pёr bashkёpunim me qytetarёt, tё cilёt i falenderojmё pёr ofrimin e informatave tё cilat e ndihmojnё Policinё nё arrestimin e personave tё dyshuar pёr vepra tё ndryshme penale”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje pёr 48- orё.