Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestohen tre persona të një klinike mjekësore në Prizren, bashkëpunuan me autoshkolla për certifikata

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona pasi dyshohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se, zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor.

Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë. Dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.

Kjo informate është trajtuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin Themelore Prizren, ku pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore janë mbledhur provat fillestare që vërtetojnë dyshimin e bazuar në lidhje me pretendimet (dyshimet) e lart-cekura.

Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar). Personat e dyshuar janë shoqëruar në zyrat e DHKEK në Prizren, të cilët janë intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.