Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestohet avokati i Navalnyt

Vasily Dubkov, avokat i liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në burg këtë muaj, thuhet se është arrestuar në Moskë.

Sipas burimeve të mediave ruse, Dubkov u arrestua për “shkelje të rendit publik”, shkruan BBC.

Pas vdekjes së Navalnyt, Dubkov shoqëroi nënën e tij në koloninë e burgut Arktik ku vdiq më 16 shkurt.

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar ende arrestimin e tij.

Në tetor të vitit 2023, avokatë të tjerë të Navalnyt – Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster – u arrestuan me akuzën e “ekstremizmit”.

Në janar, Olga Mikhailova, një tjetër avokate e liderit të opozitës, ka thënë se ishte akuzuar për të njëjtin krim dhe vendosi të qëndronte në mërgim.

Autoritetet ruse ndaluan Fondacionin Kundër Korrupsionit, organizatën e drejtuar nga Navalny, për “ekstremizëm” në vitin 2021.

Trupi i liderit të opozitës u mbajt nga autoritetet e burgut për më shumë se një javë pas vdekjes së tij. Nëna e tij, Lyudmila Navalnaya, udhëtoi për në burgun e largët të “Ujkut Polar” për të marrë trupin e tij, e shoqëruar nga Dubkovi.

Aleatët e Navalnyt kanë thënë se po kërkojnë një vend për të mbajtur memorial publik për ish-liderin e opozitës.

Megjithatë, sekretarja e shtypit e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka thënë të martën se shumica e vendeve të funeralit që ata kishin kontaktuar kishin refuzuar të lejonin ceremoni në ambientet e tyre.