Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se janë arrestuar dy persona të dyshuar për shkatërrimin e stadiumit të qytetit në Ferizaj.
Në një deklarim në rrjetet sociale, deputeti i VV-së ka thënë se arrestimet e të mërkurës në Ferizaj ndërlidhen me një denoncim që ai kishte bërë në organet e rendit para një viti.
Basha ka thënë se një afarist ndodhet në mesin e dy personave të arrestuar. Tjetri është një ish-zyrtar i Komunës së Ferizajt.
“Sot Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pranë Policisë së Kosovës paska arrestu dy persona rreth shkatërrimit të stadiumit ‘Ismet Shabani’. Sipas lajmit, një i arrestuar është zyrtar komunal, kurse tjetri si duket pronari i kompanisë që ka qenë përgjegjës për kryerjen e punimeve”, ka shkruar Basha.
“Në korrik të vitit 2022 kam dorēzu Kallëzim Penal pranë Prokurorisë Themelore në Ferizaj në lidhje me këtë krim, pra stadiumin e vjetër të qytetit, përkatësisht stadiumin Ismet Shabani”, ka thënë ai.
Basha ka bërë thirrje që drejtësia t’i mbajë përgjegjës akterët “për dëmin financiar, si dhe dëmin e madh të sportistëve”.