Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arsenali me armatim/ Paralajmëron eksperti: Do të përdorej sipas skenarëve serb, këto organizata të shpallen terroriste

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë zhvilluar një aksion në Zveçan, ku u kap një sasi e madhe armatimi i prodhimit të Serbisë.

Siç ka bërë të ditur Policia, në armatimin e kapur kishte granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan, kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”.

Sipas institucioneve të sigurisë, kryeministrit Kurti dhe Ministrit të Brendshëm Sveçla, me kapjen e këtij armatimi u parandalua një sulm terrorist ndaj qytetarëve të Kosovës.

Madje ky i fundit ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Severna brigade” të shpallen organizata terroriste.

E për kapjen armatimit serb në Republikën e Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Pra arsenali që është prezantuar sot po dëshmon që institucionet e sigurisë në Kosovë (AKI, PK) si dhe Prokurori kanë ndërvepruar në mënyrë tejet profesionale dhe të shpejtë, duke lokalizuar targetin që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të vendit, ku me pastaj është përmbyllur përmes policisë pjesa procedurale”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, ky armatim nuk është i vetmi që gjendet në veri të Kosovës.

“Ndërveprueshmeria institucionale po mos të ishte, do të kishim pasur ndoshta një përdorim të këtij arsenali që nuk është i vetmi në veri dhe në territorin e Kosovës, të hyrë përgjatë periudhave të caktuara kohore nga këto grupe dhe struktura të sigurisë së Serbisë. Ne duhet mos te ndalemi në krijimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit edhe me mekanizmat tjerë, si në fushën e inteligjencës dhe asaj policore me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, që rrjedhja e informacioneve me karakter të cenimit të sigurisë publike dhe asaj kombëtare të jetë e forcuar në veprimet preventive të mekanizmit të sigurisë në vend”, shprehet Shala.

Siç thotë Shala, armatimi i kapur nga Policia e Kosovës në Zveçan do të shfrytëzohej sipas skenarëve të Beogradit.

“Tani mund të nxjerrim edhe konkluzione nga ajo çka është paraqitur në këtë konferencë, por edhe informacionet zyrtare që këto mjete do të përdoreshin sipas disa skenarëve që kanë qarkulluar në opinion publik nga grupet kriminale të veriut, strukturat dhe formacioneve ushtarake e policore te veriut me qendër të tyre komanduese në Rashkë të Serbisë dhe urdhënësit në Beograd”, shton Shala.

“Duhet të ndërmerren veprime por jo me nguti duke respektuar dhe vepruar sipas normatives në Kosovë që nga procesi hetimor, dhe nxjerrjen e fakteve tjera dhe provave, pastaj me rezultatin e tyre”, shpjegon Shala.

Për fund, edhe Shala thotë se “Mbrojtja civile” dhe “Severna brigade” duhet të shpallen organizata terroriste.

“Institucionet e sigurisë që kanë garantimin e sigurisë nacionale të vendit (AKI) të shpall këto organizata terroriste, por edhe personat që janë të ndërlidhur me këto struktura në listën e zezë të Republikës se Kosovës, ndërsa niveli politik të merret me procedurën administrative ndaj subjektit të listës serbe që është promotor i aparaturës propagandistike të Vuçiqit në territorin dhe institucionet e Republikës”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.