Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Artan Hoxha zbulon detajin “b*mbë” që vuri në lëvizje SPAK-un për Berishën

Gazetari Artan Hoxha thotë se ish-Kryeministri Sali Berisha do të duhej të përballej në gjykatë për masën e sigurisë të kërkuar ndaj tij lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, Hoxha u shpreh se kjo çështje ka shumë material në tërësinë e saj.

“Kjo është një nga ato çështje tipike që ka aq shumë material aty brenda që sa më shumë hedhin aq më shumë të ngatërrojnë. Edhe mënyra se si është ngritur akuza është e tillë që ka një volum të madh materialesh. Në këtë moment kemi 2 palë, kemi persona të marrë nën hetim. I vetmi arbitër është gjykata. S’ka rrugë tjetër përveç se me vendim gjyqësor që të rivendosësh shkelje e ligjit nëse kemi të bëjmë me një shkelje ligji. Shmangia e procesit nuk zgjidhim dot gjë. E vetmja gjë është që të ballafaqohemi”.

Sipas gazetarit, kallëzimi për këtë dosje është bërë në vitin 2020 nga Taulant Balla, ku ndër të tjerë ishin të përfshirë edhe ministra të asaj kohe, por që për shkak të veprës penale të shpërdorimit të detyrës ekziston parashkrimi, janë ngritur akuza për këta 3 persona të tjerë.

“Kemi të bëjmë me një fabulë që nis nga një kallëzim që është bërë nga Taulant Balla në 17 Nëntor 2020. Në kallëzimin që është bërë, është kallëzuar Sali Berisha si Kryeministër, Arben Imaimi si ish-ministër i Mbrojtjes, anëtar të tjerë të Këshillit të Ministrave, drejtuesi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Jamarbër Malltezi është vetëm i pesti në listën e të kallëzuarve”.

Gazetari Artan Hoxha zbulon se hetimet e SPAK u riaktivizuan për këtë dosje pas gjetjes së një emaili në një kompjuter noterie, ku ndërtuesi Fatmir Bektashi njoftonte se kishte tërhequr nga llogaria 637 mijë Euro, të cilat ja kishte dhënë Jamarbër Malltezit.

“Kjo histori ka qenë në SPAK nga 2020 si histori. Kush e vuri në lëvizje? E vuri një sekuestrim i një kompjuteri në një zyrë noterie. Është sekuestruar një kompjuter. Në atë kompjuter SPAK ka gjetur një email i 1 Qershor 2022. Fatmir Bektashi njofton zyrën noteriale dhe i thoshte kam tërhequr nga llogaria 637 mijë Euro nga të cilat 547 mijë cash ja ka çuar Jamarbër Malltezit dhe 90 mijë të tjera ja ka dhënë për konsulencë. Dhe këtu nis SPAK-u dhe fillon veprimet. SPAK më shumë më duket se më tepër ka dashur të kryejë hetim pasuror. Prandaj që në momentin e parë shkuan të sekuestronin prona”.

Artan Hoxha thotë se në momentin e arrestimit, Jamarbër Malltezit i është marrë telefoni nga punonjësit e policisë.

“Kërkesa që ka dërguar prokuroia është në datë 15. Vendimi i gjykatës është marrë ditë të premte datë 20. Ekzekutmi ka filluar mënjëherë, të nesërmem ditën e shtunë. Atij (Jamarbër Malltezit) i është rrëmbyer celulari. Fabula e asaj që shoh unë është që Berisha ka krijuar infrastrukturë që Malltezi të dalë si garant i 64 bashkëpronarëve dhe të përfitojë truallin, ta ndryshojë nga një truall publik shtetëror ta kthejë në truall ndërtimi. Kjo është një histori që sapo ka filluar. Kjo çështje mund të zgjasë. Nga ky moment do shikojmë procedurë tjetër që do ndiqet. Unë prisja sot që z.Berisha të përballej me sistemin dhe të gjitha ato që ka thënë në konferenca shtypi t’ja thoshte në gjykatë”.