“Kur i lexoni titujt e gazetave, a e verifikoni përmbajtjen?”.
Kështu i drejtohet ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gazetarit të RTK-së, Arton Mulliqi.
E në vazhdën e sulmeve që deputetë të pushtetit kanë bërë drejt gazetarëve, është pikërisht ky momenti kur deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, ka vendosur ta rikthejë në vëmendje, pasi Mulliqi ishte një nga gazetarët që u distancua nga lajmi i paverifikuar që RTK e botoi e që vinte nga një medium boshnjak.
“Njëri nga të distancuarit e RTK-së, parimet e gazetarisë si llastëku. Verifikimin e informacioneve dhe kredibiliteti i portaleve varet se për kë bëhet fjalë dhe kë e ke përballë”, shkruan Abrashi.
Reagimi i Abrashit është vetëm njëri ndër linçimet që u është bërë gazetarëve nga anëtarët e partisë në pushtet.
Gazetari Mulliqi, të cilit iu drejtua postimi, thotë se tanimë e ka dhënë qëndrimin e tij dhe reagimet e tilla janë të parëndësishme aktualisht.
“Gjithçka çfarë kam pasur të them për këtë rast, e kam thënë në postimin që e kam publikuar në llogarinë time në “Facebook”. Të tjerat, përfshirë edhe postimet në rrjetet sociale të kujtdo qoftë, e që lakojnë emrin dhe figurën time si gazetar, i konsideroj të parëndësishme në këtë fazë. Punën time e vlerëson publiku të cilit mendoj që i kam sherbyer me nder në këto dy dekada. Une vazhdoj të angazhohem fort për ruajtjen e parimeve dhe etikës profesionale, si një përpjekje që nuk ndalon përballë asnjë kërcënimi”, ka thënë ai.
E nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bëjnë thirrje që linçimi i komunitetit të gazetarëve dhe medieve të ndalojë gjersa thonë se fjala e pushtetarëve e ka peshën e vet.
“Një dëm tepër i madh i komuniteti gazetar dhe gazetarisë, duke shpresu gjithmonë që do të bëhet ambient më i mirë i gazetarisë por po ndodhë e kundërta. Secilën here linçimet, gjuha fyese, ambienti i të bërit gazetari po bëhet më i vështirë për gazetarët edhe një kontribut për këtë po e japin njerzit në pushtet. Bëjnë thirrje ppër distancim nga mediat, i lidhin me Serbinë duke luajtur çështjen e patriotizmit dhe kjo përveçse e dëmshme, është e rrezikshme për integritetit personal dhe fizik tonin sepse dje e sidomos këto ditët e fundit, ka qenë potncialisht i rrezikuar nga sulme fizike jo vetëm verbale e kjo vetëm si shkak i këtij diskursi”, ka thëna Dema- Selmani, nënkryetare e AGK-së.
Ndërkaq, 20 organizata e anëtarë të shoqërisë civile, përfshirë AGK-në, sot i kanë kërkuar dorëheqjen Bordit të RTK-së.
Këto organizata shprehin shqetësimin se pas ngjarjeve të fundit, “jepen indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”.
Njëkohësisht, thirrje i është bërë edhe partisë në pushtet që të ndalë luftën e ashpër kundër medieve dhe gazetarëve, duke i rikujtuar se Kosova tanimë ka rënë për 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij.