Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“As në rini si kam shku mbrapa një Zhuljete”, Ramës nuk i del inati me Kurtin: Nuk më përgjigjet as në Whatsapp, është si ti flasësh televizorit

Albin Kurti e mbajti të mbyllur derën e zyrës për Edi Ramën, pavarësisht se kryeministri shqiptar bëri gjithçka publikisht që takimi mes tyre në Kosovë të ndodhte gjatë ditës së djeshme.

Por përveç takimit që nuk ndodhi, duket se ftohja e raporteve mes Kurtit dhe Ramës do të ndikojë edhe në të ardhmen, për shkak se kryeministri tha se homologu kosovar nuk i përgjigjet as me mesazhe. Rama shkoi deri aty sa e krahasoi raportin e tij me Kurtin si historia e dashurisë mes Romeos dhe Zhuljetës.

“As në rininë time nuk i kam shku mbrapa një Zhuljete indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim, edhe për takimin e mëparshëm. Për këtë takim se është pjesë e një procesi ku Kosova është aty një nga 6 vendet. Nuk e konceptoja dot që në raportin që do bëjmë për Berlinin të shkruajmë nga Kosova s’kemi ndonjë material, propozim se s’kemi arritur të kontaktojmë. Më ka ngel hatri, sot ia bëjmë ta lëmë Kosovën”, tha Rama në Klan Kosova.

Rama ka vijuar më tej duke thënë se të flasësh me Kurtin është njësoj si të komunikosh me televizorin.

Pjesë nga intervista

Rama: Nuk kam ardhur këtu të bëj debat me Albinin, se me Albinin debatet i bëj në Whatsapp, unë flas ai dëgjon, por nuk flet.

Gazetari: Nuk ju përgjigjet?

Rama: Rrallë, nuk ka rëndësi, është çështje komunikimi. Ose përsërit të njëjtën përgjigje vazhdimisht.

Gazetari: Dallojnë ato që flisni publikisht dhe ato private.

Rama: Jo është njëlloj si t’i shkruash televizorit dhe ai të përgjigjet.