Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Asamblistët e LVV-së bojkotojnë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka vendosur të bojkotojë seancën e sotme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Në rend të ditës për seancën e sotme është vetëm një pikë: propozim-vendimi për të lënë në shqyrtim publik projekt-dokumentin e Planit Zhvillimor Komunal, shkruan IndeksOnline.

Në një deklaratë për shtyp, LVV-ja në Prishtinë thotë se kjo është tentativë e kryetarit Përparim Rama, për të kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit.

“Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore.

Për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën”, thuhet në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë:

Jo shkeljeve ligjore, jo PZHK të kontrabanduar!

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar për nesër një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).

Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore.

Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore.

Për këtë arsye, Grupi i Asambleistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën.

Ftojmë publikisht të gjithë kolegët asambleistë nga të gjitha subjektet politike që ta bojkotojnë këtë mbledhje, dhe të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit.

Prishtina ka nevojë dhe do ta ketë një Plan Zhvillimor të ligjshëm, vizionar dhe të ndërtuar mbi interesin publik, e jo plan mbi tavolina të errëta me interesa private e partiake – siç po propozon kryetari të cilit i kanë mbetur vetëm edhe pesë muaj mandat.