Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Asmablistja e LDK-së synon pozitë në “Prishtina Parking”

Përpos Kryeshefit Ekzekutiv, Sokol Havollit, i cili ishte pjesë e LDK-së për disa vite, ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking” po do t’i bashkohet edhe një anëtare tjetër e partisë që e udhëheqë Kryeqytetin.

Donjeta Dragusha e cila aktualisht është pjesë e LDK-së, dhe asambliste në Prishtinë, synon edhe postin e zyrtares së auditimit në “Prishtina Parking”.

Pjesëmarrjen në këtë konkurs e hapur nga kjo ndërmarrje, ka konfirmuar vetë Dragusha përmes telefonit për RTV Dukagjini.

Gazetari: A keni kandiduar për zyrtare për auditim?

Donjeta Dragusha, LDK: Po kam kandidauar.

Gazetari: Edhe a jeni përzgjedhur?

Donjeta Dragusha, LDK: Jo nuk ka përfunduar ende procedura.

Ligji për “KONTROLLIN E BRENDSHËM TË FINANCAVE PUBLIKE”, tek kufizimet në punën e auditorëve të brendshëm ka kufizime për ata që mbajnë poste politike.

“Neni 26

Kufizimet në punën e auditorëve të brendshëm

Auditorët e brendshëm në punën e tyre janë të paanshëm, objektiv dhe raportojnë për çfarëdo konflikti të mundshëm të interesit. Në lidhje me këtë auditorët e brendshëm:

1.1. nuk përfshihen në realizimin e funksioneve të drejtpërdrejta të subjektit të sektorit publik;

1.2. nuk mbajnë poste politike, nuk janë anëtarë aktivë të ndonjë subjekti politik dhe nuk emërohen në pozita drejtuese në strukturat e subjekteve politike; dhe

1.3. nuk kryejnë angazhime auditimi për dhënien e sigurisë lidhur me funksionet, veprimtaritë dhe strukturat për të cilat ata kanë dhënë shërbime këshilluese ose në të cilat kanë qenë të punësuar gjatë periudhës së kaluar dy (2) vjeçare.”

Për nenin 26 është në dijeni edhe Dragusha e cila thotë se është e certifikuar prej auditorit të brendshëm për sektorin publik, dhe pjesëmarrja në konkurs nuk është në kundërshtim me ligjin.

“Se dallon auditore i brendshëm, sepse zgjedhet me mandat edhe zgjedhet prej bordit të ndërmarrjes, ndërsa pozicioni që unë kam kandiduar nuk është pozicion që zgjedhet prej bordit edhe nuk ka bëjë me atë ndalimin që e thotë ligji për kontrollin e brendshëm, po është veç një zyrtar në departamentin e auditimit. D.m.th. nuk është auditor. Është vetëm zyrtar për auditim”, ka thënë Dragusha.

Gazetari: D.m.th. ju keni kandiduar për atë pozitë por ende nuk e keni marrë rezultatin?

Donjeta Dragusha, LDK: Po unë kam kandiduar por nuk është përfunduar procedura.

Nga ndërmarrja “Prishtina Parking” thonë se për këtë çështje nuk janë të informuar por do të kërkojnë opinion nëse paraqet konflikt-interesi.

“Ju faleminderit për pyetjen/informatën tuaj. Menaxhmenti i N.P.L. “Prishtina Parking” nuk e ka këtë informacion. Natyrisht, komisioni i ka kryer procedurat e rekrutimit konform legjislacionit në fuqi. Me qenë se kemi të bëjmë me zyrtar të auditimit (jo me udhëheqës të auditimit të brendshëm) do të kontaktojmë institucionet relevante për të marrë opinion nëse kjo paraqet konflikt interesi. Kjo sigurisht do të realizohet përpara se të procedohet me nënshkrim të kontratës.”

Në pyetjet shtesë dërguar ndërmarrjes “Prishtina Parking” u kuptua se konkursi është inicuar nga menaxhmenti.

“Duke qenë se ndërmarrja asnjëherë nuk ka pasur udhëheqës të auditimit të brendshëm apo person të kualifikuar apo me terma të kontratës për të kryer auditim, për menaxhmentin është vlerësuar e rëndësishme që të rekrutohet staf (jo menaxherial apo jo udhëheqës) i auditimit me qëllim të sigurimit të transparencës dhe realizimit të planit të auditimit i cili do të propozohej nga komiteti i auditimit. Ky konkurs është inicuar nga Menaxhmenti duke pasur parasysh se për dy herë radhazi ka dështuar konkursi për udhëheqës të auditimit të brendshëm.”

Nga ndërmarrja publike thonë se pozita e shpallur nuk është menaxheriale, por pozitë e zyrtarit, pozitë që do të duhej të raportoj tek udhëheqësi i auditimit të brendshëm.

Sipas tyre, Komiteti i Auditimit nuk ka funksion ekzekutiv dhe rrjedhimisht nuk mund të propozoj rekrutim të stafit, sepse kjo përgjegjësi është e menaxhmentit ekzekutiv, përveç pozitës udhëheqëse.