Situata në komunat veriore vlerësohet e qetë pas incidenteve të së premtes ku kryetarët Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, u penguan që të hyjnë në objektet komunale që për pasojë u lënduan disa policë si dhe u dogjën e u dëmtuan vetura zyrtare e civile.
Analisti nga veriu, Branisllav Kërstiq, konsideron se situata po tensionohet tash kur ka marrëveshje dhe po kërkohet me ngulm zbatimi i tyre nga ndërkombëtarët.
Duke nënkuptuar zgjedhjen e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhanqiq, Kërstiq thotë se nuk mund të merren njerëz të pashkolluar për t’u emëruar në institucione vetëm pse janë të nacionalitetit serb.
Kërstiq: Po tensionohet situata tash që kemi marrëveshje
“Jemi duke i tensionuar gjërat tash në momentin kur kemi disa marrëveshje sipas planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit, dhe për mua kjo është e papranueshme… Nëse për drejtues të institucioneve zyrtare vendosim njerëz pa shkollë dhe veç se është i nacionalitetit serb, për mua është qesharake”, deklaron Kërstiq.
Kërstiq thotë se mesazhet për shmangien e tensioneve të mëtutjeshme janë shumë serioze, ndërsa beson se epilogu përfundimtar rreth kësaj situate do të përcaktohet me ndikimin e fuqive euroatlantike.
Kërstiq potencon se deri në fund të vitit 2023 do të formohet një lloj i Asociacionit për serbët, por pa kompetenca ekzekutive dhe territoriale, ndërsa deri në shtator të vitit të ardhshëm ai e sheh të zgjidhur tërësisht problemin midis Kosovës dhe Serbisë.
Kërstiq: S’do të ketë bosnjëzim të Kosoës
“Jam i sigurt se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka asnjë arsye me qenë i shqetësuar, që do të thotë, kosovarët me nacionalitet serb deri në fund të këtij viti do të fitojnë një lloj asociacioni pa kompetenca ekzekutive dhe territoriale. që do të thotë pa bosnjëzimin e Kosovës. Unë besoj se deri në shtator të vitit të ardhshëm ne do të kemi në këtë pjesë të Ballkanit dy shtete të përfunduara”, thotë analisti Kërstiq.
Serbët lokalë në veri urojnë për një marrëveshje sa më të shpejtë politike “për të rregulluar gjërat” në këto komuna. Ata thonë se nuk i njohin kryetarët e rinj të komunave të zgjedhur përmes votës më 23 prill.
Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, duke folur për kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, thotë se i dëshiron suksese në udhëheqjen e qytetit. Ai përmend punën e Policisë së Kosovës për të vënë rregull në komunikacion si hap pozitiv ditëve të fundit.
Boshkoviq: Jam i kënaqur me zgjedhjen e kryetarit të ri
“Kam vetëm fjalë pozitive dhe i dëshiroj krejt të mirat në udhëheqjen e qytetit… Po si jo, jam i kënaqur, kur edhe qytetarët e tjerë, të cilët votuan janë të kënaqur edhe unë jam i kënaqur… Qytetarët ndihen të sigurtë, nëse shëtisin, dalin nëpër kafiteri etj. Ata janë të sigurtë. Qe te rrethrrotullimi p.sh. është zbrazët, nuk ka automjete, nuk ka parkime të ‘egra’, edhe në qendër është njëjtë, nuk ka parkime të automjeteve në rrugët njëkahëshe”, thotë Boshkoviq.
Millena Jakshiq, qytetare nga Zubin Potoku bën të ditur se nuk i njeh kryetarët e rinj, por thotë se shpreson se deri në fund të këtij viti gjërat do të rregullohen në kuadër të një marrëveshjeje politike.
Jakshiq: Mendoj se janë përfaqësues legjitim
“Sa i përket individëve të zgjedhur për kryetarë të komunave, unë vërtet nuk i njoh. Mendoj se janë përfaqësues legjitim të partive të tyre… Ndërsa, a do të jenë qytetarët të kënaqur do të shihet… Krejt varet si do të dëshmohen ata dhe si do të veprojnë në raport me parimet politike… Unë shpresoj se deri në fund të këtij viti do të rregullohen gjërat, në radhë të parë të jetë gjithçka qetë dhe në kuadër të një marrëveshjeje politike, civilizuese, normale, gjithçka të zgjithet ashtu siç duhet”, thekson Jakshiq.
Tensionet në veri të vendit u shtuan pasi njerëz me të dyshuar kriminale penguan kryetarët e zgjedhur më 23 prill të hyjnë në objektet e Kuvendeve Komunale në Zveçan, Leposaviq si dhe Zubin Potok.
Për shkak të sulmeve ndaj tyre, policia u detyrua që të përdorë gazin lotsjellës si dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët, të cilët përpos Policisë, sulmuan edhe përfaqësuesit e mediave si dhe civilë të tjerë.
Policia deklaroi se të paktën pesë zyrtarë janë lënduar si pasojë e sulmeve ndaj tyre.
Ndërkombëtarët, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kërkuan nga Kosova që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian, po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.