Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Asociacioni ‘kafshatë’ e madhe”, deputeti shqiptar paralajmëron ndërkombëtarët: Nuk guxojnë t’i shtypin shqiptarët!

 
   

Asociacioni është rikthyer në temë kryesore, pas kërkesave të shumta të ndërkombëtarëve për themelimin e tij.

Presioni ndaj kryeministrit Albin Kurti është shtuar ndjeshëm.

E për dialogun Kosovë-Serbi dhe presionin për themelimin e Asociacionit në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur Nikollë Camaj, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi.

Ai tha se Asociacioni është një ‘kafshatë’ shumë e madhe, derisa tha se kundërshtimi i Kurtit është i kuptueshëm.

Mirëpo, Camaj tha se Kosova duhet të ofrojë modele tjera, derisa për ndërkombëtarët u shpreh se duhet të jenë të kujdesshëm që të mos formojnë një “Republika Serpska”.

 Image
 Nikollë Camaj 
 

“Kurti po i bënë disa lëshime dhe natyrisht se Asociacioni është kafshatë tepër e madhe për personin që e ka luftuar me aq forcë, prandaj qëndrimi i tij aq i ashpër kundër, është i kuptueshëm. Por, nuk e di se sa mund të zgjasë kjo rezistencë, pa oforuar zgjidhje apo modele të tjera, pasi që nga Kosova pritet që të sigurojë një lloj autonomie të nivelit lokal, për serbët. Po ashtu mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e kujdesshme që të mos formojë një “Republika Srpska” në Kosovë. Prandaj, mendoj se duhet punuar në kërkimin e modeleve dhe jo shmangie e bisedimeve, sepse Kosova dhe shqiptarët nuk guxojnë të keqen me ndërkombëtarët. Por në të njëjtën kohë, nëse qëndron interesi i tyre gjeopolitik në Ballkan, dhe nëse të drejtat e njeriut paraqesin vlera, as ndërkombëtarët nuk guxojnë t’i shtypin shqiptarët me kërkesa në dëm të tyre, pasi që ata e kanë të qartë se, në Ballkan, shqiptarët i kanë të vetmit miq të sinqertë”, theksoi ai.

Krahas kësaj, deputeti shqiptar potencoi se njohja reciproke duhet të jetë pjesë thelbësore në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Sidoqoftë, jam i mendimit se për zgjidhjen e statusit të serbëve do të duhej të arritej një konsenzus i gjerë politik, dhe se në kërkimin e modeleve dhe zgjidhjeve përfundimtare do të duhej kyçur edhe spektri politik i dalur nga lufta, sot në opozitë.

Natyrisht se njohja reciproke duhet të jetë objektivi përfundimtar, edhe pse marr guximin të them se Kosova ka më pak arsye për të njohur Serbinë, se sa ajo Kosovën. Kjo, nëse i kemi parasysh krimet, dhunimet, njerëzit e humbur dhe varrezat masive në Serbi”, përfundoi Nikollë Camaj për “Bota sot”.