Kryetari i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, ka folur rreth procesit të votimit që ka ndodhur të dielën e 21 prillit, në katër komunat veriore.
Një ditë pas këtij procesi, Atiq në Rubikon të Klan Kosovës tha se qytetarët serbë ndihen më të sigurt se më parë.
“Mos të krijohet përshtypja se bojkotimi i djeshëm i referendumit, vjen si rezultat i bojkotimit të komunës dhe punës që jemi duke e bërë në atë komunë”, tha Atiq.
Gjatë ditës së djeshme në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, u mbajt votimi për largimin ose jo të kryetarëve nga pozitat e tyre.
Nëpërmjet këtij procesi, qytetarët e këtyre komunave, në mesin e tyre edhe ata serbë patën mundësi të japin verdiktin për vazhdimin ose jo të mandatit të Erden Atiq, Izmir Zeqirit, Ilir Pecit dhe Lulzim Hetemit.
Rezultati përfundimtar tregon se ky proces nuk ka kaluar, pasi që në të kanë marrë pjesë veç 265 qytetarë, e jo 50+1 përqind e atyre me të drejtë vote siç parashihet me ligj.