Administrata Tatimore e Kosovës njofton se sot me datë 13 shkurt 2024 publikoi Versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.
“Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”, thuhet në kumtesën për media.
Më konkretisht, bëhet e ditur se përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofrojë edhe informata shtesë, si:
Data e fillimit të punës;
Data e ndërprerjes së punësimit;
Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm;
Niveli i shkollimit të punëtorit;
Profesioni i punëtorit;
Pozita e punës së punëtorit, etj.
“Për plotësimin e saktë të informatave për të punësuarin, ATK-ja ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse në të cilën bëhet plotësimi i formularit, andaj ju sugjerojmë që paraprakisht ta shfletoni udhëzuesin”, thuhet në njoftim të ATK-së.