Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se kanë evidentuar 51 raste të dyshimta për vepra penale gjatë vitit 2022.
Ajo në një konferencë për media tha se të gjitha këto raste i kanë dërguar në Prokurorinë e Shtetit për hetime të mëtejme.
Sipas saj, rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, lidhja e kontratave dhe shpenzimet në kategorinë mallra dhe shërbime.
“Kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar në Prokurori të Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme. Përveç këtyre 51 rasteve të evidentuara në prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura. Rastet janë kryesisht nga fusha e prokurimit publik, lidhja e kontratave, shpenzimet e në kategorinë mallra dhe shpenzime ku janë identifikuar 36 raste. Ndërkaq, tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve si dhe shtatë raste në fushën e punësimit. Menjëherë pas dërgimit të rasteve Zyra e Kryeprokuror të Shtetit ka konfirmuar pranimin informacionit dhe ka informuar shpërndarjen e tyre në zyrat përkatëse tek shtatë prokurorit themelore”, tha ajo.
Ajo shtoi se këto raste të dyshimta më shumë i takojnë nivelit lokal.
“Rastet që i kemi dërguar në prokurori shtrihen në pothuajse të gjitha organizatat buxhetore, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. Po ashtu edhe tek ndërmarrjen publike, por ajo çka mund të konfirmojë është se pjesa më e madhe e rasteve që i kemi dërguar tek prokurori për hetime të mëtejme i takojnë nivelit lokal”, deklaroi ajo.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2022 kanë bërë 15 auditime të institucioneve të ndryshme, derisa përmendi efikasitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Spanca tha se në bazë të raportit final del se institucionet nuk kanë pasur rezultate të kënaqshme të trajtimit të dhunës në familje.
“Gjetjet e këtij auditimi tregojnë se edhe pse organet përgjegjëse publike kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Ka mangësi në angazhimin e adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe mbështetjen e viktimave dhe rehabilitimit. Policia gjatë intervenimit reagon në kohë optimale mirëpo janë identifikuar dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë të procedurave për urdhrat mbrojtjes, mos përcjelljes informatës tek mbrojtësit e viktimave dhe si dobësi në regjistrimin e rasteve”, përfundoi ajo.
Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2022 pritet të shkojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.