Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Australia ua heq medaljet disa komandantëve pas krimeve të dyshuara në Afganistan

Disa komandantëve dhe ish-komandantëve të ushtrisë australiane u janë hequr medaljet, pas dyshimeve për krime të luftës gjatë luftës në Afganistan, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles.

Gjeneralmajor Paul Brereton kreu një hetim për krime lufte në të cilin kërkoi që komandantët të mbahen përgjegjës për sjelljen e keqe të forcave speciale të Australisë mes viteve 2005 dhe 2016.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Brereton gjeti se rreth 25 ushtarë të Regjimentit të Forcave Speciale Ajrore të Australisë dhe të Regjimentit Komando u përfshinë në vrasjen e jashtëligjshme të 39 afganëve.

“Akuzat, që janë subjekt i Raportit të Breretonit, janë mbase akuzat më rënda të krimeve australiane të luftës në historinë tonë”, tha Marles në Parlamentin e Australisë.

Marles u shkroi komandantëve të atyre trupave për t’i njoftuar për heqjen e medaljeve që ata i kishin pranuar për shërbimin e tyre gjatë kohëve kur dyshohet se ndodhën ato krime.

Ai nuk tregoi sa komandantëve u ka shkruar, e as nuk e zbuloi gradën e tyre, duke u thirrur në shkaqe sigurie.

Asnjë veteran australian nuk është dënuar për krime të luftës në Afganistan. Por, ish-avokati i ushtrisë, David McBride, u dënua në maj me gati gjashtë vjet burgim për publikimin në media të informatave të klasifikuara të cilat zbuluan dyshimet për krime të luftës nga ushtria australiane.

Më 2023, ish-ushtari i Forcave Speciale Ajrore të Australisë, Oliver Schulz, u bë veterani i parë që u akuzua për krime të luftës. Ai akuzohet se e qëlloi me armë për vdekje një joluftëtar në një fushë gruri në provincën Uruzgan më 2012.

Po më 2023, një gjykatë civile gjeti se veterani më i dekoruar i luftës i Australisë, Ben Roberts-Smith, me gjasë i vrau jashtëligjshëm katër afganë kur ishte tetar i Forcave Speciale. Por, ai nuk është ngarkuar me vepër penale./Radio Evropa e Lirë