Surferi australian Higor Fiuza do të duhet të paguajë një gjobë të barabartë me 1400 euro, sepse ai u pa në dërrasë duke luftuar dallgët me një piton në qafë. Pitoni quhet Shiva dhe është kafsha e tij shtëpiake.
Një video e sërfisit “të patrembur” në brigjet e famshme të Australisë, në jug të Brisbane, ka bërë bujë.
Siç raporton BBC, autoritetet e gjobitën me 2322 dollarë australianë (1400 euro). Në Australi, njerëzit lejohen të kenë një piton si kafshë shtëpiake, por pa e nxjerrë atë nga shtëpia, e aq më pak të bëjnë sërf.
“Për të nxjerrë pitonin jashtë shtëpisë, kërkohet një leje e veçantë. Gjarpërinjtë janë kafshë gjakftohtë dhe, megjithëse mund të notojnë, në përgjithësi shmangin ujin”, thanë autoritetet, duke shtuar se gjarpërinjtë e vetëm që mund të jenë në ujë janë gjarpërinjtë e detit, jo pitonët.
Një lloj pitoni i gjetur në Australi mund të arrijë një gjatësi deri në tre metra. Këta gjarpërinj nuk janë helmues, por mbështillen rreth gjahut të tyre dhe e shtrydhin atë derisa të vdesë nga mbytja. Pitonët kryesisht ushqehen me zogj, hardhuca dhe gjitarë të vegjël.