Në seancën e zakonshme të Parlamentit Evropian është diskutuar dje për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist që kjo e fundit organizoi ndaj Policisë së Kosovës. Njëzëri, deputetët e PE-së kërkuan të vendoset drejtësia për këtë akt agresor derisa presidenti serb Vuçiq u quajt autokrat.
Janez Lenarçiq, komisioner evropian për Menaxhimin e Krizave, gjatë fjalimit të tij para eurodeputetëve, sulmin terrorist në veri me në krye Milan Radoiçiqin, e ka quajtur të paprecedentë, shkruan Reporter
Teksa foli për sasinë e armëve që e konfiskoi Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes në Banjskë, Lenarçiq tha se kjo dëshmon se situata është tejet serioze.
“Retorika nga Serbisë sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për depërshkallëzim”, tha Lenarçiq.
Komisioneri evropian tutje shtoi se Bashkimi Evropian pret prej Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.
“BE-ja po e ndjek afër hetimet në vijim dhe pret që kryesit të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve afër vijës kufitare administrative. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën”, u shpreh Lenarçiq.
Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, pati kritika më të ashpra drejtuar Serbisë, dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiqit.
Ajo ka deklaruar se Bashkimi Evropian me heshtje e ka lejuar Vuçiqin që ta minojë stabilitetin e rajonit. Madje, Strik e quajti Vuçiqin autokrat.
“Të gjithë ishim të shokuar kur një bandë serbe e armatosur rëndë me lidhje të forta në dukje me qeverinë serbe, u fut në Kosovë dhe vrau brutalisht një oficer policie. Të tronditur, por jo të befasuar. Pasi këtu të çon strategjia e kënaqjes të cilin e aplikon Bashkimi Evropian. Me vite ne në heshtje kemi lejuar Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon, të mbetet përkrahës i Kremlinit, t’i shkatërrojë të drejtat e minoriteteve në vendin e vetë. Ne e trajtojmë atë si mik, duke e nxitur të shkojë edhe më larg. Këtë bëjnë autokratët kur kanë mosndëshkueshmëri. Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin”, ka thënë ajo.
Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk, gjatë fjalimit të tij, Aleksandar Vuçiqit iu referua si “Vladimir Vuçiq”.
Kyuchyuk tha se është e pabesueshme që duhet të dëgjojmë përmes aleatëve tanë të vendosur, amerikanëve, për ngritjen ushtarake nga serbët.
Ndërkaq, eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, gjatë diskutimit për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se komisioni nuk duhet t’i kthehet punës së vetë të përditshme, sikur s’ka ndodhur gjë.
I njëjti ka kritikuar punën e KE-së në Ballkanin Perëndimor, të cilën e quajti dështim.
“Pas ngjarjeve të fundit njerëzit në Kosovë janë të frikësuar. Kujtimi i luftës dhe mizorisë është i pranishëm. Me udhëheqësit serbë, KE nuk duhet t’i kthehet punës si zakonisht. Liderët e Kosovës mund të mos lejojnë të provokohen. Përshkallëzimi, çfarë dëshiron Vuçiq”, tha Mandl.
“Komisioni ka dështuar me politikën e vetë në Ballkanin Perëndimor”, tha tutje ai.
Për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, që u rritën nga 24 shtatori, folën edhe dy eurodeputetët kroatë, Ladislav Iliçiq dhe Tonino Picula.
Iliçiq ka thënë se Serbia është arsyeja kryesore e destabilitetit në Kosovë derisa sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri e ka quajtur akt klasik terrorist.
“Ky sulm konfirmon atë që thashë në maj: Serbia është arsyeja kryesore e destabilitetit në Kosovë. Sulmi i grupit serb ndaj Policisë së Kosovës është një akt klasik terrorist. Nuk do të ketë autonomi politike të mundshme për komunitetin serb sot”, u shpreh ai.
Ndërkaq, eurodeputeti Tonino Picula, ka kërkuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
Ai tha se ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata.
“Ne kemi parë masa kufizuese ndaj Kosovës. Të paktën të njëjtat ose edhe më të gjera duhet të zbatohen për Serbinë. Për sukses të vërtetë, politika jonë duhet të jetë koherente. Nuk mund të kemi politika kaq divergjente ndaj Serbisë dhe Kosovës “, tha eurodeputeti kroat në Parlamentin Evropian.
E, zhvillimet i ka komentuar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Von Cramon ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë lë të kuptohet që paqja në Ballkanin Perëndimor nuk mund të merret si e mirëqenë.
E njëjta i bëri thirrje BE-së dhe NATO-s që të dalin me një plan për ta siguruar veriun e Kosovës.
“Polici i vrarë, Afrim Bunjaku në detyrë është goditje ndaj paqes, sigurisë, jetës normale në veri të Kosovës. Duhet qartësisht të bëjmë thirrje që sulmuesit të thirren para drejtësisë. Millan Radoiçiq nënkryetari i Listës Serbe me seli në Beograd, Serbia duhet të veprojë në mënyrë të pakushtëzuar në çdo hetim dhe të kërkojë përgjegjësi nga gjithë sulmuesit, përfshirë Radoiçiqin”.
“Edhe ne duhet të veprojmë, BE-ja bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurimi për veriun e Kosovës. Përforcimi i trupave të KFOR-it është suksesi në dorën tonë”, ka thënë Von Cramon.