Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avionët amerikanë mbi Bosnjë në shenjë paralajmërimi ndaj thirrjeve serbe për shkëputje

Dy avionë ushtarakë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë të hënën në shenjë mbështetjeje për tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës përballë politikave ndarëse të udhëheqësit pro rus të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Në njoftimin nga Ambasada Amerikane në Sarajevë, thuhet se avionët F-16 fluturuan si pjesë e stërvitjes së përbashkët me forcat boshnjake.

Derisa thuhet se fluturimet u kryen në rajonet e qytetit lindor të Tuzlës dhe në veri të Bërçkos.

“Kjo stërvitje dypalëshe është një shembull i bashkëpunimit të përparuar ushtarak që i kontribuon paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe demonstron përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të garantuar tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës përballë veprimtarive kundër (marrëveshjes) së Daytonit”, thuhet në njoftimin.

“Shtetet e Bashkuara kanë nënvizuar se Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk përmban të drejtën e shkëputjes dhe do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element themelor” të marrëveshjeve të paqes së Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992-95 në vend”, thuhet tutje.