Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avni Arifi: Kosova nuk ka ditur që t’i shfrytëzojë aleatët e saj

 
   

Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i kërkojë Kosovës që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë draft-statutin evropian në Gjykatën Kushtetuese. Duke folur për këtë, ish ambasadori Avni Arifi tha se kërkesa e BE-së për Asociacionin si veprim është i ri, kurse si kërkesë është e moçme.

“Është edhe një zotim që e ka bërë kryeministri para Këshillit. Draft-statuti nuk është dokument i dialogut Prishtinë-Beograd, nuk është më dokument i Lajçakut. Qeveria e Kosovës me refuzimin e saj që të prodhojë vet draft-statut ka bërë që draft-statuti i Lajçakut, i cili edhe vet nga kryeministri Kurti është aprovuar në takimin me Olaf, Scholz, me Macronin dhe Melonin, pra tash është dokument i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Këshilli i Ministrave kërkon që ai dokument të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Them është veprim i ri, por është ditur që veprime të tilla do të ketë fuqishëm në të ardhmën dhe natyrisht se këto do të kushtëzohen me çdo progres të Kosovës në fusha të caktuara” , tha ai në emisionin “ Info Plus” në RTK.

Sipas Avni Arifit, drafti-statuti nuk do të dërgohet para datës 9 shkurt.

“Kjo nuk do të ndodhë. Albin Kurti nuk e dërgon sigurtë para 9 shkurtit pa marrë parasysh ç’farë do të jenë kërkesat dhe presioni, sepse dërgimi i tij do t’i përmbyste qëndrimet e tij të deritanishme me bashkësinë ndërkombëtare. Në logjiken e tyre ekziston bindja se ata kishin me humbë shumë vota me dërgimin e draft-statutit para 9 shkurtit”, tha ai .

Ish ambasadori foli edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës. Ai tha se Kosova nuk ka ditur që t’i shfrytëzojë aleatët e saj që të mos i vendosen masat, kurse Serbia po i përdor aleatët e vet dhe ata nuk po lejojnë që Kosovës t’i hiqen masat.