Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokatët: Prokuroria Speciale ka ende afat për ngritjen e aktakuzës në rastin e Banjskës

 
   

Ndonëse janë bërë pesë muaj që nga sulmi terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj personave të përfshirë në këtë sulm. E këto vonesa janë cilësuar si normale nga njohësit e çështjeve juridike.

Ata vlerësojnë se Prokuroria Speciale është brenda afateve ligjore por që kërkojnë pak më shumë transparencë për këtë rast.

Avokatja, Albulenë Ukimeri, thotë për Eo se institucionet e drejtësisë janë brenda afate kohore dhe se raste të tilla sipas procedurës penale kanë afat dyvjeçar të hetimeve, e që mund të zgjatet edhe një vit me miratim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

“Unë konsideroj që Prokuroria është brenda afateve ligjore dhe e njëjtë është duke vazhduar në kryerjen e detyrave të tyre në anën tjetër ndoshta mendoj se do të kishte pak më tepër transparencë deri në limitet e lejuara që nuk do të ndikonin në prishjen e hetimeve apo në publikimin e informacioneve që nuk janë të lejueshme për publikun dhe nuk do ta ndihmonin procesin. Në këtë drejtim konsideroj se Kodi i Procedurës Penale e ka përcaktuar afatin dyvjeçar të hetimeve për përfundimin e tyre dhe me kërkesën e prokurorit në raste specifike siç është ky i Banjskës që është më i ndërlikuar të shtohet edhe për një vit tjetër shtesë me kërkesë të gjyqtari i procedurës paraprake apo me aprovimin e tij”, thotë Ukimeri.

Ajo thotë se qytetarët duhet të kenë besim në institucionet e drejtësisë, specifikisht në rastin e Banjskës. E marrë për bazë numrin e madh të personave të përfshirë në këtë rast, Ukimeri i sheh të natyrshme vonesat në ngritjen e aktakuzës.

“Si fillim unë konsideroj që po rasti po trajtohet në mënyrën e duhur nga ana e institucioneve dhe ne si qytetarë, publiku në përgjithësi duhet t’i besoj institucioneve të drejtësisë këtu do të shtoja edhe faktin që mos të ketë mbase ndërhyrje të politikës në këtë aspekt dhe t’i lëmë institucionet që t’i kryejnë detyrat me sukses. Sa i përket transparencës kjo është në ato limitet sa i lejohet ndoshta hetuesisë organeve ligjzbatuese që të jenë në këtë drejtim. Përfundimisht konsideroj se prokuroria është brenda afateve ligjore dhe puna e tyre po kryhet në mënyrën e duhur. Duke qenë se ka një numër të madh të personave të përfshirë nga një çështje mund të kalohet në pista të tjera të hetimit është rast më i ndërlikuar konsideroj se organet e drejtësisë janë ato të cilat më së miri mund ta dinë dhe janë përgjegjës për të dhënë verdiktin final”, thotë tutje Ukimeri.

Mendim të njëjtë ka edhe avokati tjetër, Ardian Bajraktari, veçse ky kërkon më shumë transparencë nga Prokuroria.

E futja e këtyre personave në INTERPOL, për Bajraktarin është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë institucionet e drejtësisë.

“Fakti që tashmë të gjithë personat e përfshirë në këtë proces janë në mesin e listës së kërkuarve të INTERPOL dëshmon këtë gjë se institucionet po e kryejnë punën  e tyre. Ndoshta do duhej pak më shumë transparencë në raport me publikun mirëpo megjithatë para se gjithash duhet me i kry detyrat dhe përgjegjësitë brenda afateve dhe parametrave të përcaktuara me Legjislacionin në fuqi. Sa i përket çështjes së Prokurorisë në përgjithësi vlerësoj që po të ishte më transparente me publikun do t’i ndihmonte shumë këtij rasti dhe rasteve tjera, para së gjithash në radhë të para ajo duhet me i kry detyrat dhe përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore që ta bind Gjykatën se personat të cilët në këtë rast janë të përfshirë në rastin Banjska janë përgjegjës penalisht dhe natyrisht se të marrin dënimin e merituar”.

Ndonëse Kodi Penal i Republikës së Kosovës i jep afat dyvjeçar në raste të tilla, Bajraktari është optimist se aktakuza do të ngritët para kësaj kohe.

“Referuar dispozitave të kodit të procedurës penale përkatësisht neni 157, çështja e afateve është me rregullore mjaft qartë. Në këtë drejtim dy vite nga momenti i miratimit të saj është momenti kur ka aktvendim për fillim të hetimeve mirëpo përjashtimisht i kësaj kur situata është komplekse në bindjen time rasti i Banjskës është një nga rastet të tilla, atëherë me kërkesë të Prokurorit të Shtetit edhe me autorizim përkatësisht vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake ky afat mund të shtyhet edhe në një vit shtesë kështu që këto janë parametrat që i përcaktojnë me dispozitat e kodit të procedurës penale. Bazuar në indikacionet që tashmë janë shpërfaqur kam përshtypjen që edhe para kësaj mund të kemi aktakuzë për faktin se një pjesë e madhe tashmë janë një pjesë janë të ditura dhe vlerësoj edhe për institucionet ligjzbatuese, mirëpo e gjithë ajo se çka duhet të bëjmë ne është që t’i inkurajojmë organet ligjzbatuese që punën e tyre ta kryejnë me përkushtim maksimal dhe të rezervohemi qoftë edhe në kërkesa në drejtim të kryerjes së punës për faktin se janë aktualisht brenda afateve dhe parametrave që prezantohen me legjislacion në fuqi”, u shpreh ai.