Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokati i Arsiqit: Asnjë provë nuk e ka konfirmuar faktin se Zlatani kreu krime lufte

 
   

Gjatë mëngjesit të së hënës, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Zlatan Arsiq nga akuza për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999.

Me këtë vendim janë shprehur të kënaqur mbrojtja e Arsiqit, duke theksuar se asnjë provë nuk e ka konfirmuar faktin se ai ka kryer krime lufte.

“Nuk është më i pandehur, është i lirë, sot lirohet nga paraburgimi. Ai i kaloi 11 muaj në burg. Fatkeqësisht, vetëm ai e di si ishte, por drejtësia ka ardhur, e ngadaltë, por e arritshme. Asnjë provë nuk e ka konfirmuar faktin se Zlatani kreu krime lufte. Këtë e kemi pretenduar si mbrojtje që në fillim edhe gjatë kërkesës për hudhjen e aktakuzës, edhe gjatë procedurës së provave. Është e padiskutueshme se Zlatan Arsiq ka pasur alibi dhe se ai nuk ka qenë aty kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Ky është  aktgjykimi i parë i panelit të specializuar për krime lufte që merret për lirim”, ka thënë avokati i tij, Vasilije Arsiq.

Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

“Gjykata pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitareve, prokuroria përsëri s’ka arritur ta argumentojë faktin se i akuzuari Arsiq ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur ta provojë se ishte ai që ka maltretuar B.M apo se i njëjti ishte personi që ia ka djegur shtëpinë”, ka thënë gjykatësja Musliu Selmanaj shkruan “BetimipërDrejtësi”.

Aktakuza e PSRK-së, e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999-s para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij.

Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkitur shtëpinë dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.