Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokati i Isni Kilajt kërkon lirimin e tij dhe bashkëpunim me autoritetet: Nuk paraqet rrezik, të lirohet për në Kosovë

Avokati i ish-kryetarit të Malishevës Isni Kilajt, Brian Edwards gjatë seancës e cila po zhvillohet në Hagë ka thënë se klienti i tij nuk paraqet rrezik si dhe kërkoi lirimin e tij deri në kryerjen e hetimeve.

Edwards tha se Kilaj ka treguar gatishmëri që të intervistohet menjëherë edhe pa praninë e ndonjë avokati.

Ai u shpreh se Kilaj është familjar dhe ka lidhje jashtëzakonisht të mirë me komunitetin ku jeton.

“Në raportin e arrestimit të tij, nuk mund të marr me mend që mund të ketë ndonjë gjë konfidenciale apo private, por nuk janë përdorur ndaj tij. Nuk mund të më shkoj mendja që ka ndonjë gjë konfidenciale. Kilaj ka bashkëpunuar me vullnet të lirë në arrestimin e tij. Duhet të ketë ndonjë problem në kronologji nga prokuroria…çdo avokat do të tmerrohej që një klient do të mbrohet pa folur dhe …ai është i gatshëm të intervistohet në mënyrë të vullnetshme. Ai do t’i mbush 60 vjeç në dhjetor. Është familjar dhe i martuar ka dhe fëmijë. Ka lidhje jashtëzakonisht të forta me komunitetin. Nuk ekziston rreziku më i vogël që të kërkoj të pengoj procesin apo ndonjë vepër penale. Një 60 vjeçar që asnjëherë nuk është arrestuar më parë, para 2 nëntorit. Parashtrimet e mija do të paraqiten me shkrim deri në fund të ditës. Është kandidat jashtëzakonisht i mirë që të lirohet për në Kosovë”, ka thënë Edwards.

Gjykatësi kërkoi nga prokurori Holling që t’i japin një afat kohor se kur pritet të ketë një aktakuzë për Kilajn, ndërsa prokurori kërkoi kohë pasi tha “ende nuk e di se sa ka material”.

“Varet nga analiza e materialit që sapo kemi marrë, një pjesë e morëm dje, sot është e shtunë. Ende nuk e dimë çfarë materiali kemi. Më 20 nëntor ne do të jemi në gjendje që të japim një parashikim më të saktë”, tha prokurori Holling.