Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokati serb dorëzon kallëzim penal për terrorizëm kundër Radojçiqit: Serbia s’ka më arsyetim

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka dorëzuar një kallëzim penal për terrorizëm dhe ndihmë në terrorizëm kundër Millan Radojçiq dhe të paktën “30 personave” që ndihmuan gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, grupin që e drejtoi Radojçiqi, ai e ka cilësuar si grup terrorist teksa shton se nëse Serbia refuzon të shtypë këtë terrorizëm dhe në vend të kësaj ndihmon dhe krijon grupe terroriste, ajo mund të përjashtohet nga shumë organizata ndërkombëtare, si dhe nga programe të shumta të BE-së.

“Serbia nga sot nuk ka më arsyetim – është nënshkruar dhe dorëzuar kallëzimi zyrtar penal për terrorizëm. Nëse veprojnë dhe arrestojnë Radoiçiqin, ka një pasojë. Nëse ata refuzojnë të veprojnë sipas tij (ashtu siç refuzuan të veprojnë në lidhje me ankesën time penale kundër rekrutimit të grupit Wagner në janar 2023) dhe refuzojnë të arrestojnë menjëherë 30 persona, pasoja është e ndryshme”, shkroi avokati.

Ai ka potencuar se armët e sekuestruara janë armë ushtarake (mina kundërtank, granata për mortaja, sisteme raketore kundërtanke), prodhimi dhe shpërndarja e të cilave është në kontrollin e Serbisë.

Sipas tij, asnjë pajisje e tillë nuk mund të kishte dalë nga magazinat dhe fabrikat serbe dhe të vinte në duart e atij grupi pa ndihmën dhe organizimin e njerëzve nga niveli më i lartë i shërbimeve të sigurisë serbe.

Avokati Stajkoviq thotë se të ndihmosh grupin e Milan Radoiçiqit me armë po ndihmon terrorizmin.

“Ashtu siç nuk mund të marr në dorë një raketë HIMARS apo një sistem Javelin pa miratimin dhe ndihmën e qeverisë amerikane. Të ndihmosh grupin e Milan Radoiçiqit me armë po ndihmon terrorizmin. Dhe pikërisht këtë kanë bërë zyrtarët më të lartë ttë shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Për këtë arsye janë përfshirë në kallëzim penal”, shtoi ai.

Po ashtu, avokati serb është shprehur se epoka e grupeve paraushtarake në Evropë duhej të vdiste së bashku me Sllobodan Millosheviqin, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta së bashku me Vojisllav Sheshelja formuan grupe të tilla paraushtarake për të vepruar në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Ato grupe ishin formalisht jashtë shërbimit të Sllobodan Millosheviqit dhe joformalisht në varësi të Beogradit, i cili i armatosi dhe u siguronte logjistikën. Kështu është edhe tani me grupin e Radoiçiqit. Vuçiq, si nxënës i Voijslav Sheshelj, mori pjesë në organizimin e grupeve paraushtarake në vitet nëntëdhjetë dhe aty fitoi përvojë dhe mendime pozitive për këtë. Prandaj sot ekziston një organizatë paraushtarake e Serbisë në veri të Kosovës, ashtu siç bëri Beogradi në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci. Fatkeqësisht, ne e dimë se sa keq përfundoi nga të dyja palët”, tha ai.

Ndërkaq shton se refuzimi i Serbisë për ta trajtuar në këtë mënyrë grupin e Milan Radoiçiqit dëshmon se autoritetet serbe po punojnë së bashku me të.

“Ato organizata paraushtarake në vitet nëntëdhjetë kanë kryer shumë mizori dhe krime lufte. Pas rënies së Sllobodan Millosheviqit, të gjitha këto “organizata paramilitare” janë organizata terroriste sipas ligjeve të Serbisë. Këtë foto e plotëson lirimi i sotëm i Radoiçiqit, pasi ka kaluar më pak se 24 orë në paraburgim në Beograd”.

Ai thotë se e vetmja mënyrë që Serbia të shmangë fatin e viteve nëntëdhjetë dhe të ruajë çdo potencial negociues, është arrestimi i menjëhershëm i të gjithë anëtarëve të atij grupi dhe ndalimi i tyre.

“Serbia vetëm me arrestimin e menjëhershëm të të gjithë anëtarëve të atij grupi mund të tregojë se aktivitetet e atij grupi nuk përfaqësojnë politikën e Serbisë. Nëse Serbia nuk i arreston anëtarët e atij grupi, kjo tregon se ai grup po zbaton planin e Serbisë dhe se Milan Radoiçiq ka vepruar në përputhje me politikën e Beogradit”.

Dhe e gjithë kjo siç thotë avokati serb, është një ligjshmëri e thjeshtë dhe e dukshme, e cila do të çonte qartë në sanksione.