Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar kërkesë për tu paraqitur në gjykatë në asnjë cilësi në rastin e të dyshuarit për krime të luftës në Kosovë, Dragisha Milenkovic, raporton teve1.info
Lajmin për teve1 e bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri Kurti ka kohë që nuk ka pranuar ftesë nga gjykata për t’u paraqitur në asnjë cilësi.
“Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Gjykatat për t’u paraqitur në ndonjë cilësi. Nuk besoj që e ka marrë malli për to. As për këtë rast ai nuk pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga institucionet e drejtësisë. Nëse gjykatat kanë ndonjë kërkesë ndaj tij, atë le ta bëjnë zyrtarisht dhe për të do të marrin përgjigje”, ka deklaruar Kryeziu.
Ky deklarim ka ardhur pas raportimit të medieve serbe se avokati Dejan Vasic që mbron të dyshuarin për krime lufte, Dragisha Milenkovic, ka deklaruar se do ta ftojnë kryeministrin Albin Kurti për të dëshmuar pro tij.
Sipas avokatit, Milenkovici kishte qenë gardian i burgut në kohën kur ishte arrestuar dhe paraburgosur kryeministri aktual i Kosovës që mban emrin Albin dhe mbiemrin Kurti.
Ai pretendon se Kurti ka pasur marrëdhënie të mira me të, dhe se mund të dëshmojë për karakterin e tij.
“…jemi marrë vesh, gjegjësisht jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës, z. Albin Kurti, i cili ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë, u shpreh z. Vasic, raporton ‘Gazeta Danas’.
Vasic për Kosovo-Online ka thënë se tashmë e kanë dorëzuar kërkesën në Qeverinë e Kosovës për të dëshmuar Kurti.
Mirëpo, një gjë të tillë e demantoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.