Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh “shqetësimin e thellë” mbi atë që e quan mostransparencë dhe mosllogaridhënie të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Në komunikatën e lëshuar nga “AVONET”, thuhet se AKK-ja ka refuzuar qasjen në dokumente publike, e cila kishte si fokus informacione dhe dokumente nga fusha e prokurimit publik.
“Pas një kërkese për qasje në dokumente publike, e cila kishte si fokus informacione dhe dokumente nga fusha e prokurimit publik, Agjencia refuzoi të ofronte qasje në këto dokumente, duke shkelur kështu parimet e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, si dhe duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike”, shkruan aty.
Në ankesë thuhet se situata është shqetësuese, sepse dokumentet e kërkuara lidhen drejtpërdrejt me shpenzimin e parave publike.
“Kjo situatë është shqetësuese, sepse dokumentet e kërkuara lidhen drejtpërdrejt me shpenzimin e parave publike, dhe refuzimi për t’i publikuar ato hedh hije dyshimi mbi integritetin e procesit të prokurimit”.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen taksat e tyre, dhe mungesa e informacionit e dëmton besimin në institucionet publike. Gjithashtu, sipas nenit 17, paragrafit 3, nënparagrafit 3.1 të ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike, qasje lejohet gjithmonë, kur kemi të bëjmë me shpenzimin e parasë publike, që në rastin konkret kemi të bëjmë pikërisht me të (shpenzimin e parasë publike, përmes aktivitetit të prokurimit)”.
Mosdhënia e informacionit dhe mungesa e transparencës janë pengesa të mëdha në përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar një qeverisje të mirë, tha tutje “AVONET”.
“Rrjeti i OJQ-ve AVONET bën thirrje për veprime të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar qasje në dokumentet publike dhe për të forcuar mekanizmat e llogaridhënies”.
“Nga shumë qytetarë kemi pranuar ankesa se kjo qasje jotransparente dhe e kundërligjshme e këtij institucioni është një praktikë e ndërtuar që një kohë të gjatë nga ky institucion, fakt i cili është jashtëzakonisht shqetësues, sepse kjo sjellje e kundërligjshme nëse përsëritet për një kohë të gjatë dhe në vazhdimësi përbën elemente të keqpërdorimit dhe abuzimit me detyrën zyrtare, nga zyrtarët përgjegjës të këtij institucioni”.