Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

 
   

Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Katarina Axhanqiq, ka thënë se gjatë 15 ditëve të fundit është takuar dy herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa për dallim nga shumë politikanë serbë të veriut dhe pjesëve tjera të vendit, të cilët siç u shpreh, takohen fshehurazi me të, ajo tha se një gjë të tillë e bënë hapur dhe publikisht.

Ajo bëri të ditur se me kryeministrin Kurti përveç anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), kanë biseduar edhe për tema të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të veriut.

Axhanqiq peticionin e suksesshëm për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore dhe pastaj dështimin e referendumit në veri, i quajti politika të larta.

Sipas saj, komunikimi në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është i pashmangshëm dhe duhet të ekzistojë për të mirën e qytetarëve.

Axhanqiq: Dikush i bën takimet publikisht e të tjerët fshehen

‘Ka qenë takimi i dytë (me kryeministrin Kurti) në 15 ditët e fundit. Tema konkrete ka qenë që të dëgjojë qëndrimin tonë dhe cka mendojmë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj se një prej arsyeve kryesore të takimit ishte se (Kurti) dëshiron të dëgjojë të vërtetën nga terreni. Është pra një komunikim ku nga dora e parë dëgjon nevojat e qytetarëve për të ardhmen, krijimin e kushteve më të mira për ata… Nuk kisha dashur të flasë për këtë ( peticionin e suksesshëm dhe referendumin e dështuar në veri). Janë politika të larta. Për mua është prioritet, sepse këtu jam për t’u marrë me përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetarët dhe një standard më të mirë jetësorë… çdo dialog, sidomos një i tillë në mes nesh si përfaqësues dhe struktura lokale me strukturat qendrore, qoftë me kryeministrin, apo me ndonjë ministër, duhet të ekzistojë… Komuna dëgjon nevojat e qytetarëve, unë jam personi i parë tek i cili vijnë qytetarët dhe tregojnë problemet e tyre. Ata kërkojnë ndihmë nga ne, ndërsa ne jemi vetëm adresë e cila duhet t’i definojë këto nevoja dhe kërkojë pastaj zgjidhjen e këtyre problemeve përmes pushtetit qendror… Mendoj se ky është komunikimi i duhur, real, i ndershëm dhe i thjeshtë (mes pushtetit qendror dhe qytetarëve… Unë sa di dhe dëgjoj, edhe grupe tjera të qytetarëve nga opsione dhe iniciativa tjera politike shkojnë dhe bisedojnë, me të njëjta këto institucione qendrore, si me ministra të ndryshëm, ashtu edhe me kryeministrin, unë e di këtë. Njerëzit shkojnë, dhe jo vetëm nga këtu, por edhe nga Kosova qendrore, jugore dhe komunikojnë. Tani dallimi është se dikush këto takime i zhvillon publikisht, fotografohet dhe e bënë publike, ndërsa të tjerët, shumica, fshihen”, tha ajo.

Në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KE, ajo tha se është një gjë e duhur që duhet të kryhet sa më parë.

Axhanqiq: Anëtarësimi në KiE mënyra e drejtë e zgjidhjes së shumë vendimeve të padrejta

“Pikërisht kjo na duhet (anëtarësimi i Kosovës në KiE). Nuk dua që instanca e fundit e ndonjë vendimi gjyqësor të jetë Gjykata supreme dhe vendimi i saj. Sa njerëz kemi të pakënaqur me vendime të tilla, dhe ka njerëz të cilët kishin dashur ta cojnë cështjen deri në Strazburg. Edhe unë para disa vitesh kam dashur të ankohem për shkak të disa parregullsive në Gjykatën e Strasburgut, më patën thënë se nuk ka mundësi sepse Kosova nuk është anëtare e KiE-së, u pata ndjerë keq. Kjo është mënyra e drejtë e zgjidhjes së shumë vendimeve të padrejta”, tha ajo.

Nënkryetarja e Mitrovicës Veriore, theksoi se deri tani nuk është sulmuar asnjëherë nga askush për shkak të bashkëpunimit të saj me institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse nuk e përjashton një gjë të tillë në të ardhmen.

Axhanqiq: Nuk kam pasur rast që dikush të më sulmojë

“Nëse përmendi pronat e uzurpuara, banesat, shtëpitë, tokat, pasuritë, njoh njerëz të cilët hektarë të tokave të tyre assesi nuk kanë arritur të dëshmojnë se u është falsifikuar dokumentacioni, se të tjerët ua kanë shitur pasurinë e tyre, dhe ata që dy dekada nuk arrijnë të kenë një vendim të drejtë gjyqësor… Askush nuk e di sa do të qëndrojë në pozitën në të cilën është, e as unë, por në asnjë moment nuk jam penduar ose nuk kam menduar të dorëzohem, sepse kam parë nevojën që qytetarët të kënë kujt t’i drejtohen… dhe t’i zgjidhin problemet të cilat nuk kanë mundur më herët, ndërsa janë grumbulluar… Unë kam raporte të mira dhe korrekte me qytetarët e mijë dhe jo vetëm tash, por gjithnjë. Është qytet i vogël dhe ne të gjithë njihemi mes vete… Nuk kam pasur rast që dikush të më sulmojë, mbase nuk e përjashtoj një mundësi të tillë”, thotë ajo.

Duke folur për procesin e regjistrimit të popullsisë, ajo tha se statistika është shkencë e pamëshirshme dhe se numrat tregojnë gjithçka, andaj ka ftuar qytetarët serbë të veriut t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.

Axhanqiq: Të marrim pjesë në regjistrim dhe të tregojmë sa jemi

“Institucionet sikur nuk kanë punuar shumë për një kampanjë të vërtetë për informimin e qytetarëve në terren. Unë vërtetë nuk kam vërejtur nga ana e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, kërkoj falje nëse ndihen të ofenduar, që janë përkushtuar vërtetë për një kampanjë informative në rajonin e veriut. Nuk din secili të hap faqen zyrtare të ASK-së në kompjuter dhe të informohet. Pastaj, shumë pak kjo kampanjë është transmetuar në media…Me siguri se secili opsion politik ka simpatizantët e vet, të cilët natyrisht i dëgjojnë urdhërat e partive të tyre… Më vjen keq që qytetarët e veriut as në vitin 2011 nuk pranuan të regjistrohen. Andaj, tani këshilloj ata që masovikisht të regjistrohen. Statistika është shkencë e pamëshirshme, numrat tregojnë gjithçka… Hajde njerëz të marrim pjesë në regjistrim, të dëshmojmë numrin e saktë sa jemi, para vetes dhe botës…. Duhet që t’i përgjigjemi regjistrimit të popullsisë të gjithë, sepse kështu do të arrijmë më lehtë të realizojmë gjithçka që na takon’, ka thënë Axhanqiq.