Azemi: Disa QMF rrezikojnë të mbyllen me skadimin e kontratës me CaritasKosova, qytetarët s’mund të bëhen kurban i paaftësisë së Komunës së Ferizajt
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi është shprehur i shqetësuar që ka skaduar një kontratë e Komunës së Ferizajt me CaritasKosova.
Ai tha se punonjësit shëndetësorë të angazhuar sipas kësaj kontrate s’janë paguar qe katër muaj dhe se përfundimi i kësaj kontrate rrezikon mbylljen e disa qendrave të mjekësisë familjare.
“Me shqetësim pranova lajmin për skadimin e kontratës për personelin shëndetësor mes Komunës së Ferizajit dhe CaritasKosova. Aq me tepër që një gjë e tillë erdhi pa ua paguar katër pagat e fundit punonjësve shëndetësorë. E gjithashtu duke ditur se përfundimi i kësaj kontrate rrezikon mbylljen e QMF-ve në fshatrat Komogllavë, Softaj e Mirash”, shkroi Azemi në një postim në Facebook.
Ai ka kërkuar “zgjidhje të menjëhershme”.
“Duke vlerësuar lart kontributin e këtyre rreth 300 punonjësve që vazhdimisht kanë shërbyer me pasion e profesionalisëm derisa tashmë kanë mbetur pa punë, në emër të LDK-së në Ferizaj, kërkoj zgjidhje të menjëhershme për t’i kompensuar ata për punën e tyre të paçmuar dhe për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore në komunitet. Kjo e fundit duke qenë të mirënjohur edhe me faktin se kërkesat për shërbime janë rritur ndjeshëm këto kohë pas virozave sezonale dhe fluksit të mërgimtarëve”.
Azemi tha se profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët “s’mund të bëhen kurban të paaftësisë menaxheriale të qeverisjes së Ferizajit”.
As profesionistët shëndetësorë e as qytetarët në përgjithësi, s’mund të bëhen kurban të paaftësisë menaxheriale të qeverisjes së Ferizajit. Mantelbardhët duhet të marrin kompensimin që ju takon për punën e tyre, e pacientët nuk guxojnë të mbesin pa shërbime shëndetësore në asnjë formë.