Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka komentuar deklaratën e sekretarit amerikan Antony Blinken që po qëndron në Tiranë dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier i cili u deklarua në Prishtinë.
Sipas Azemit, kjo është edhe një “flakaresh i rrallës për Kosovën për faj të pamaturisë dhe arrogancës të një kryeministri”, që sipas Azemit “sillet si adoleshent i llastuar”.
“Shqipërinë e vizitoi sot Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, dhe qëndroi aty më gjatë se secili parardhës i tij që ka mbajtur këtë pozitë. Ai në Tiranë foli për progresin e Shqipërisë si shtet dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të saj aktualisht me ShBA-në. Kurse, nga atje Kosovës iu bë apel që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, e kjo për të satën herë”.
“Ironikisht, në të njëjtën kohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ftoi konferencë për media për t’ia tërhequr vërejtjen edhe një herë Qeverisë për veprimet e njëanshme të përsëritura. Sërish u tha se hapat e ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti kanë dobësuar raportet Kosovë-ShBA dhe se këto veprime kanë shqetësuar edhe vendet e tjera që mbështetën shtetin tonë”.
“Edhe një flakaresh i rrallës për Kosovën për faj të pamaturisë dhe arrogancës të një kryeministri që sillet si adoleshent i llastuar. Një popull po paguan faturën e marrëzive të këtij kryeministri. Kjo është e dhimbshme dhe duhet të marrë fund sa më shpejtë”, ka shkruar Azemi në Facebook.