Një baba shqiptar me dy djemtë e tij kanë mbetur viktima të një grabitje të përgjakshme në zonën e Kolonos në Athinë. Gjashtë persona i rrahën dhe i grabitën në sheshin Petroula.
42-vjeçari shqiptar ishte ulur me dy djemtë e tij, 23 dhe 17 vjeç, në një stol në shesh, kur anëtarët e bandës së pamëshirshme iu afruan. Sipas burimeve policore, të pestët ishin të veshur me rroba të zeza dhe kapuç, ndërsa drejtuesi i kishte të pambuluara tiparet e fytyrës. Ishte ai që iu afrua familjes shqiptare dhe me ton të fortë i kërkoi babait t’i jepte 5000 euro.
42-vjeçari shqiptar është përgjigjur se nuk do t’i japë paratë që kërkon dhe më pas gjashtë autorët kanë filluar ta godasin me grushte dhe shkelma në kokë, derisa ai ra përtokë i gjakosur. Njëri prej grabitësve i ka rrëmbyer celularin, ndërsa anëtarët e tjerë të bandës kanë sulmuar edhe djemtë e tij. Në fakt, 23-vjeçari ka mbetur i plagosur në brinjë dhe i është hequr zinxhiri prej floriri nga qafa.
Autorët janë larguar me vrap, ndërsa viktimat janë dërguar në spital, ku iu është dhënë ndihma e parë. Sipas dëshmive të viktimave, kreu i bandës është bashkëkombasi i tyre dhe vetëm 18 vjeç.
Siç konstatuan punonjësit e policisë së Kolonos, nga dosja e tij, ai është me precedentë për krime të ngjashme. Vijojnë hetimet për identifikimin e gjashtë anëtarëve të bandës së grabitësve.