
Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai komentoi para mediave qëndrimet sa i përket formimit të qeverisë, për çka tha se numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës.
Sa i përket formimit të qeverisë së re, Bahtiri tha se “numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës”.
“Unë mendoj se po, janë numrat për formimin e qeverisë…Numrat janë të deputetëve të cilët janë 61 e më shumë dhe ata do të bëhen… Është mendim i tyre, ne e dimë se i kemi numrat dhe do i bëjmë me deputetët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti edhe sot (e enjte) nuk i është përgjigjur mediave sa i përket formimit të qeverisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme.
Lexo po ashtuRegjistrohet si deputet, Kurti hesht për formimin e qeverisë së re
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk është përgjigjur as dje për refuzimin e ftesës për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së martë.
Përgjigje nuk dha as nëse do t’i ftojë partitë e tjera.
Ndërsa, nga legjislatura e ardhshme, Bahtiri tha se pret normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Mendoj se qytetarë e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre për t’i çuar njerëzit më të mirë që ata kanë menduar dhe ne do t’i çojmë proceset e tyre… mendoj se zhvillimi ekonomik më të mirë për gjithë qytetarët pa dalim nacionaliteti dhe rajoni. Dhe mendoj se kryesorja e kësaj kohe që do të vije është që të bëjmë një herë e përgjithmonë ndërprerjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë”, deklaroi ai.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.