Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bajraktari: Nëse vërtetohen dyshimet mbi vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i saj meriton dënimin e përjetshëm

 
   

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se nëse vërtetohet skenari i planifikimit të vrasjes së Liridona Ademjat nga burri i saj, ai së paku meriton dënim të përjetshëm, raporton teve1.info

Bajraktari këto komente i bëri në studion e emisionit “Ditari”, ku tha se në shqiptimin e dënimit duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë praninë e fëmijëve gjatë aktit kriminal.

“Është njëri prej krimeve më të llahtarshme për këtë periudhë kohore me vet faktin që vet përgatitja paraprake, përfshirja e bashkëshortit, me aq gjakftohtësi si para por edhe pas ndodhjes së krimit, shto faktin që ishin prezent edhe fëmijët, e bënë njërin prej krimeve më të tmerrshme, më të llahtarshme në këto vitet e fundit. Është e gjykatës të vërtetojë mbi bazën e asaj çka i ofron prokuroria, por mbi bazën e asaj çka kemi parë e unë e kam përshtypjen që një person që sillet me aq gjakftohtësi u tha që kanë qenë një darkë, ta sheh në sy një person që pas pak minutash ka përgatitur skenarin që nuk do të jetë më në këtë jetë, pastaj të jetë në ceremoninë e varrimit, ai së paku meriton dënimin e përjetshëm”, tha Bajraktari.

Bajraktari tha se në 13 vitet e fundit kanë ndodhur 55 humbje jetëve të grave, derisa shtoi se ky është më i tmerrshmi, duke e pas parasysh gjakftohtësinë me të cilën është përgatitur vrasja si dhe praninë e fëmijëve në këtë akt.

“Për më tepër se 13 vite kanë ndodhur 55 humbje jetë të grave. Nga aspekti ligjor në natën kritike dhe më pas indiciet ishin që kemi të bëjmë me një grabitje, më pas natyrisht mbi bazën e aktivitetit të mirë të policisë në koordinim edhe me prokurorin arritën që në periudhë rekorde të identifikohen kryesit potencial të kësaj vepre sikurse edhe u rikualifikua vepra nga vepër penale e grabitjes me pasojë vdekjen në vrasje të rëndë e të tillë e përcakton neni 173 i Kodit Penal. Natyrisht mbi bazën e asaj qka kemi parë së paku për njërin e përfshirë në këtë proces, për dorasin mund të ketë qenë përfitimi pasuror e që e bënë si vrasje të rëndë, natyrisht edhe përfshirja e personit të tretë, çdokush i cili përfshihet me mbështetje me ndihmë në kryerjen e një vepre penale, natyrisht është i barabartë sikur ta kishte kryer vet. Natyrisht që pastaj janë rrethanat determinuese ato që do ta përcaktojnë motivin që e ka shtyrë bashkëshortin për ta kryer, është në lartësinë e dënimit pasi e përcakton 10 vite ose deri me burgim të përjetshëm, u mbetet organeve të drejtësisë që ta kualifikojnë shkallën e dënimit”, tha Bajraktari.

Ai tha se ajo çfarë duhet të bëhet aktualisht është të inkurajohen organet ligjzbatuese që ta kryejnë punën e vet dhe të besohet në efikasitetin e tyre.