Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se ka ende nxënës që nuk i kanë librat e nevojshëm.
Në diskutimin në Kuvend ku opozita po kërkon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar pë çështjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, Bajrami pyeti se sa i ka kushtuar shtetit subvencionimi me metodën që sivjet u aplikua për herë të parë. Pyetjeve nuk iu përgjigj ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Pyetja shumë e thjeshtë, të cilës ju asnjëherë nuk iu përgjigjët, unë mendoj se është që: sa ka kushtu subvencionimi i teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024?”, pyeti Bajrami. “Dhe – nëse ju jeni të bindur e na tregoni këtu që i keni kursy mjete buxhetit të Kosovës dhe jeni të bindur që ka qenë mënyra më e suksesshme – ju lutem na tregoni se a keni me e përdor të njëjtën metodë për vitin shkollor 2024/2025?”, shtoi ajo.
“Nuk ka pasë qytetar dhe prind që nuk është ankuar për shkak të kësaj metode”, tha nënkryetarja e LDK-së.
Në replikë, ministrja Nagavci tha se ajo nuk jep miliona.
“Deputete, unë nuk jap miliona. Unë udhëheqi ministrinë me politika. Mos e projektoni veten në mua”, tha ajo.
Ministrja tha se për subvencionimin për tekstet shkollore janë shpenzuar 11 milionë euro.