Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Banka Botërore thotë se inflacioni në Kosovë do të ngadalësohet në 3%

Këtë vit, inflacioni në Kosovë, sipas pritjeve të Bankës Botërore, do të ngadalësohet në 3% dhe gradualisht do të bie në 2 për qind në periudhën afatmesme.

Si rrjedhojë edhe normat e interesit pritet të bien deri në gjysmën e dytë të viti 2024.

Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë i ka thënë Radio Kosovës se parashikojnë ngadalësim të inflacionit deri në fund të viti 2024.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore, ka rreziqe që mund të çojnë në devijime nga ky projeksion, duke përfshirë mundësinë e një rikthimi të inflacionit të nxitur nga intensifikimi i tensioneve gjeopolitike si dhe nga presionet e brendshme për paga më të larta.

“Banka Botërore aktualisht parashikon që inflacioni, i matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, do të ngadalësohet në 3 për qind këtë vit dhe gradualisht të bie në 2 për qind, në periudhën afatmesme”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Sipas Bankës Botërore, projeksioni bazohet në pritjet për presione më të ulëta nga çmimet ndërkombëtare të energjisë, ushqimit dhe lëndëve të para, për të cilat Kosova është kryesisht importuese.

Vitin e kaluar normat e interesit u rritën sërish, në përpjekje për të frenuar inflacionin, përderisa një anketë e Bankës Qendrore, e kryer në janar, tregon se në gjysmën e dytë të këtij viti Banka Botërore parasheh një rënie të lehtë të tyre.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se duhet të zvogëlohen normat e interesit.

“Jemi duke parë që ka rënie të inflacionit. Nuk është më në atë pikun që ka qenë vitin e kaluar dhe nuk ka arsye që normat e interesit të ngritën”, ka thënë Rafuna.

Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se normat e interesit në Kosovë janë më të lartat në rajon dhe ato po ndikojnë në investime.

“Ekonomia nuk mund të zhvillohet pa mbështetje të bankave. Bankat kanë dalë sektori më profitabil në kurriz të qytetarëve”, ka thënë Shahini.

Në korrik të vitit 2023, normat e interesit për kreditë e reja në Kosovë arritën kulmin në 6.7 për qind, ndërsa në janar të këtij viti ato ranë në 6.3%. Lidhur me inflacionin dhe normat e interesit të kredive, Banka Qendrore e Kosovës, për një javë rresht nuk i ka kthyer përgjigje Radio Kosovës./RTK