Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës, ka raportuar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) në teren.
Më 24 shtator, afër manastirit në Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.
Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist.
Në mesditën e së mërkurës, ekipi i REL-it ka vërejtur se fshati është i zbrazët dhe njerëzit janë të mbyllur nëpër shtëpi.
Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka arritur të flasë me disa banorë.
Ata kanë shprehur fikë dhe kanë thënë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur.
“Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur“.
Në atë zonë, përveç ekipit të REL-it janë parë edhe shumë ekipe tjera të gazetarëve.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre.
Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma.
Në Serbi, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq ka thënë se shihet qartë që video-incizimi nuk është i ditës së sulmeve në veri të Kosovës.
“Nuk e kam atë informacion nëse ai [Radoiçiq] është në video-material apo jo, nuk e di”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi./REL