Pas arrestimeve të djeshme rreth rezervave shtetërore, deputeti i opozitës Rashit Qalaj i PDK-së, ka thënë se ministrja Rozeta Hajdari javën e ardhshme do të detyrohet të japë dorëheqje dhe do të intervistohet nga prokurori i Prokurorisë Speciale.
Këtë deklaratë të tij sot e ka komentuar deputeti i pushtetit, Dimal Basha.
“Më ra në sy një deklaratë interesante që paska dhanë për media një deputet i PDK-së, ish drejtor i Policisë, ku thotë se “Ajo [ministrja Hajdari] do të jetë subjekt i intervistimit nga prokurori i Prokurorisë Speciale…Javën e ardhshme mund të arrestohet Rozeta Hajdari…””, tha ai sot në mëgjes.
Basha ngre dyshime se Qalaj është i njohur me punën e prokurorit dhe vazhdimësinë e punës së tij në këtë rast.
“Si ka mundësi se një deputet i PDK-së pe di kur ka m’u intervistu dhe kur paska m’u arrestu ministrja nga Prokurori Special? Si po e di ky komplet axhendën e Prokurorit të nderum qytetarë, sepse as unë e as ju nuk e dini, vetëm ky po i di krejt rrjedhat se çka do të ndodh???!!! Në cilat shtete demokratike politikani e di komplet se cilat janë veprimet dhe përfundimet e punës së një Prokurori?”.
Basha akuzon sistemin e drejtësisë se i shërben interesave të caktuara dhe jo popullit.
“Vetë ambasadorët e thonë, por edhe i gjithë populli e di, se sistemi i drejtësisë i shërben interesave të caktuara, dhe jo popullit! Interesa të caktuara në Kosovë gjithmonë kanë qenë dy dhe të vetme, politikanë të opozitës dhe milionerë tendermen që janë pasuru përmes këtyre të parëve, pra tandem në krim që sot po kërkojnë të kthehen sepse ka fillu me iu rrëshqit dheu nën këmbë!”.
MINT dje në reagimin pas arrestimeve të dy zyrtarëve të saj përmendi edhe me emër prokurorin e këtij rasti.