Për shkak të situatës në veri, Qeveria ditë më parë u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve që ta shmangin rrugën nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë. Ndonëse në masë më të vogël, bashkatdhetarët edhe këtë vit po e shfrytëzojnë rrugën nëpër Serbi.
Megjithatë, shfrytëzimi më i pakët i kësaj rruge, ka bërë që në pikëkalimin kufitar në Merdar të mos ketë pritje të gjata.
Bashkatdhetari Safet Mehmetaj, kaloi përmes pikëkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdar. Ai arriti në Kosovë pas shumë orë në rrugë nga Gjermania.
Megjithatë, rruga e mërgimtarëve për të ardhur në Kosovë nuk është e lehtë. Endrit Bullatovci, që ka ardhur nga Gjermania, flet për vështirësitë e kësaj rruge të gjatë.
“Jo të gjithë i shfrytëzojnë makinat për të ardhur në Kosovë. Të tjerë zgjedhin të vinë me autobus”, ka thënë Bullatovci për RTK.
Driton Bajçinca, shoferi i një autobusi që vinte nga Franca, thotë se udhëtimi ishte pa probleme, ndërsa tregon se sa shpesh ka linja të autobusit.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të hyrë dhe për dalë nga Kosova, si në Merdar, ashtu edhe në pikëkalimet tjera kufitare nuk janë më të gjata se 5 minuta.
Pas tensioneve në veri të vendit, Qeveria u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i shmangin pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe t’i shfrytëzojnë rrugët tjera alternative për udhëtim.