B.B. dhe B.B., pronarë të një kompanie në Podujevë, po dyshohen për bashkëkryerje në veprat penale “shmangie nga tatimi” dhe “prezantim të dokumenteve të rrejshme”. Ata gjenden ende në arrati, ndërkaq biznesmeni Feim Pulaj, me të cilin dyshohet se bashkë me të e dëmtuan buxhetin e Kosovës për afro tre milionë, u arrestua sot nga Krimet Ekonomike.
B.B. dhe B.B., afaristë nga Podujeva, janë në kërkim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për evazion fiskal, njësoj sikurse biznesmeni Pulaj.
Në një operacion të krimeve ekonomike, ku cak bastisje ishte “Lakeside Hotel” në pronësi të afaristit Pulaj, u arrestua ky I fundit dhe 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Në njoftimin e Prokurorisë u tregua se si zyrtarë të AKP-së ia kanë njohur 23 fatura fiktive si të rregullta me vlerë prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e një hoteli, i cili veçse ka qenë i ndërtuar.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë…”, thuhet në njoftim.
“…të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, vijon njoftimi.
Pulaj dhe dy afaristët e tjerë llapjanë po dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës 2.8 milionë euro.
Pulaj, investitor nga Zvicra, është pronar i kompanisë “Advan Tech” e cila po ashtu është nën llupen e prokurorisë për një marrëveshje të dyshimtë me Telekomin e Kosovës që nga viti 2019.
Një kontratë që ishte nënshkruar mes kompanisë “Advan Tech” dhe Telekomit të Kosovës nuk ka filluar të zbatohet kurrë. Kjo pasi që lidhur me këtë kontratë kishin nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ky menaxhment ka ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen. Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin.
Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019 nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Bedri Istrefi.
Për këtë veprim të fundit të Telekomit, biznesmeni Feim Pulaj i është drejtuar Burbuqe Hanës, drejtoreshë në këtë ndërmarrje publike dhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Nga to ka kërkuar që të heqin dorë nga shpallja e kontratës së re dhe ta zbatojnë këtë aktualen me kompaninë e tij.
Ndryshe thotë se kontesti mes tyre do të zgjidhet në organet e drejtësisë. Pulaj kishte deklaruar në vitin 2021 se kjo çështje rrezikon të shkoj në arbitrazh.
“Kjo na e hap rrugën me shku në Arbitrazh. Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në Arbitrazh. Jemi të interesuar me shku me punu. Kur e kam marre me ec përpara, me ec përpara Telekomi, jo me dëmtu atë”, ishte shprehur Pulaj.