Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt

Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë për vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes.

Navalny vdiq të premten në një burg të largët në Arktik.

Si një prej figurave më të rëndësishme të opozitës, 47-vjeçari ishte në burg, nën akuza që, sipas kritikëve të Kremlinit, kanë qenë të motivuara politikisht.

Autoritetet e burgut thanë se ai pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”, por aleatët e tij besojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kremlini i cilësoi si “të neveritshme” akuzat e tilla.

BE-ja tha se është “e indinjuar” nga vdekja e politikanit të opozitës dhe shtoi se “përgjegjësia përfundimtare i takon presidentit Putin dhe autoriteteve ruse”.

Ajo bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së papritur të Navalnyt.

“BE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të kërkuar llogari nga lidershipi politik dhe autoritetet ruse, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, tha blloku.

Ai, po ashtu, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të disa qindra njerëzve që u arrestuan teksa kujtonin Navalnyn në disa qytete të Rusisë./rel