Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor diskutojnë për sigurinë dhe harmonizimin e politikës së jashtme

 
   

Shefat e politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe të 27 vendeve të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë sonte në Bruksel mbi situatën e sigurisë në rajon dhe harmonizimin e politikave të jashtme.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josef Borrell që tradicionalisht drejtoj takimet e tilla me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, tha se ato theksojnë rëndësinë e rajonit për Bashkimin Evropian.

“Do të këmbëngulet për afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk kanë një histori të mirë në lidhje me harmonizimin e politikës së jashtme dhe me sanksionet”, tha zoti Borrell.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim por njëkohësisht vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Ajo ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në radhë të parë për shkak mbështetjes së Kremlinit për refuzimin e Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se takimi me vendet e Ballkanit Perëndimorë është shumë i rëndësishëm dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian me këto vende do të ofronte siguri më të madhe.

“Ne e kemi bërë të qartë tashmë në konferencën e Berlinit se zgjerimi nuk është vetëm një çështje gjeopolitike, por gjithashtu forcon Bashkimin Evropian dhe se zgjerimi mund të kontribuojë për të na bërë më të fortë nga brenda”, tha ajo.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla shkroi në rrjetet sociale se “për Kosovën dhe rajonin, sulmi paraushtarak i Serbisë më 24 shtator ndryshon gjithçka dhe dëshmon urgjencën e përballjes me kërcënimet e mëdha të sigurisë”.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon që nxitën ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ata kanë paraqitur një propozim ku nga Prishtina kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Ndonëse udhëheqësit e të dyja vendeve nuk e kanë kundërshtuar propozimin, zbatimi mbetët sfidë dhe pjesë e diskutimeve të mëtejshme ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë këtë të enjte në Bruksel./VOA