BE-ja ndan 5 milionë euro për Kosovën për ta luftuar Covid-19

 

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, do të ndajë 5 milionë euro për ta luftuar koronavirusin Covid-19.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, Dinka Zhivalj, zëdhënëse për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë.

   

   

“BE-ja ka qenë gjithmonë pranë njerëzve të Kosovës, në kohë të mira dhe në krizë. Ne jemi duke punuar edhe me organizatat ndërkombëtare për ta ndihmuar Kosovën për t’i ndarë 5 milionë euro për ta luftuar shpërthimin e COVID-19”, tha Zhivalj për Kohën.

Tutje, ajo theksoi se “Qëllimi ynë është të ndihmojmë në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve në Kosovë”.

“Ne gjithashtu po kërkojmë mënyra për të ndihmuar edhe ekonominë e Kosovës, në mënyrë që të zbutet kriza”, tha tutje Zhivalj.

Nga Zyra e BE-së kanë thënë gjithashtu se BE-ja, vazhdimisht ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha, dhe se këtë ndihmë, s’do ta ndalin.

Prej vitit 2014 deri tash, në një grafikë të detajuar nga BE-ja që ia ka dërguar Kohës, shihet se ajo ka ndihmuar Kosovën me 542.91 milionë euro në total, e këtu përfshihet edhe viti 2020 me një shumë prej 90 milionë eurosh të parapara.

Në Kosovë, numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 28, derisa bëhet thirrje e vazhdueshme për t’iu përmbajtur rekomandimeve dhe për të qëndruar në shtëpi.

 

——————————————–
Ju pëlqeu “BE-ja ndan 5 milionë euro për Kosovën për ta luftuar Covid-19”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.