Atë që konkretisht kishte kërkuar ta marrë vesh Bashkimi Evropian nga takimi i 27 shkurtit, duket se nuk ja ka arritur.
Frazën qe e përdori emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak, pas takimeve me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, e përdori edhe një ditë më vonë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ky i fundit, në një përgjigje paralajmëroi takime të tjera për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm për të sqaruar disa nga pyetjet e hapura.Në të njëjtën kohë, ai (Miroslav Lajcak) tregoi gjithashtu se shumë pyetje mbeten pa përgjigje dhe ende duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme në rrugën përpara për komunitetet e prekura. Prandaj, BE-ja do t’i ftojë palët për diskutime vijuese në periudhën e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, në një përgjigje nga kabineti i kryenegocitorit kosovar, Besnik Bislimi, kanë thënë se qëndrimet e qeverisë nuk kanë ndryshuar dhe se po presin që në muajin mars të bëjnë publike 10 masat për fazën kalimtare të zbatimit për dinarit.
Por optimist se një zgjidhje për çështjen e dinarit do të këtë në Tiranë është treguar presidenti serb Aleksandar Vuciq.
“Tani më duket se evropianët dhe amerikanët duan një zgjidhje, ndoshta jo atë që na përshtatet neve, por një lloj zgjidhjeje që njerëzit të mund të vazhdojnë të jetojnë normalisht. Besoj se do arrijmë ta gjejmë njw zgjidhje në ditët në vijim”, ka thënë ai.
Ndërkohë veprimet e Bashkimit Evropian karshi Kosovës vazhdojnë të kritikohen nga ish diplomat.
“Këtë çështje po e politizon Serbia, vallen po ia mban Lajcak. Dinari është larguar bashkë me ushtrinë serbe, më ’99 dmth e ka larguar Kushner. Jemi stërlodhur duke na thënë Lajcak që kemi një zgjidhje kreative evropiane, ku ka zgjidhje më të mirë se monedha euro, e cila është edhe valut evropiane”, ka deklaruar Sylë Ukshini, ish-diplomat.
Ndryshe nga Ukshini ka të tjerë që kritikën më të ashpër e kanë karshi qeverisë kosovare.
“Qeveria ditëve në vazhdim nuk ka ka të ik do të ulet patjetër që të diskutoj për mënyrën e imlementimit atë që kanë kërkuar nga fillimi shtetet aleate, si do të shkoj implementimi për palët e interesit…”, ka thënë Dritëro Arifi, Profesor univeristar.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Evropën e Lirë, janë shprehur se bisedimet në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.