Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE: Planifikojmë që statusin e urës mbi lumin Ibër ta vendosim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

 
   

Bashkimi Evropian tha të martën se planifikon që statusin e urës mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, të vendosë në takimin e ardhshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Çështja e urës, siç e dini, kjo është pjesë e çështjes së dialogut, pavarësisht faktit që qeveria e Kosovës vepron në të kundërtën”, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian Nabila Massrali, gjatë një konference për shtyp për gazetarët në Bruksel.

Auoritetet në Kosovë thanë të martën se kanë marrë raportin teknik mbi qëndrueshmërinë e urës kryesore mbi Ibër, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi tha se sipas raportit ura mbi lumin Ibër është e qëndrueshme dhe funksionale.

“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, shkroi ai në rrjetet sociale duke nënvizuar se raporti është paraprak.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Por synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb ndërsa nxitën kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar ndërkaq se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe./VOA