
Bashkimi evropian të mërkurën u ka bërë thirrje qytetarëve në të gjithë kontinentin që të grumbullojnë ushqime, pije dhe sende të tjera thelbësore që do zgjasnin së paku 72 orë, në rast të ndonjë krize të mundshme.
Një thirrje e tillë nga blloku prej 27-vendesh për 450 milionë banorët e tij vjen në një kohë kur siguria e Evropës është në qendër të vëmendjes, pas deklaratave dhe veprimeve të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë në gjendje të nisë një tjetër sulm në Evropë deri në vitin 2030.
“Kërcënimet e sotme me të cilat përballet Evropa janë më komplekse se kurrë, dhe të gjitha janë të ndërlidhura,” tha Komisionerja e Përgatitjes dhe Menaxhimit të Krizave Hadja Lahbib teksa zbuloi një strategji të re për trajtimin e fatkeqësive të ardhshme, ka raportuar AP.
Ndërsa komisioni është i prirur të mos shihet si alarmues, Lahbib tha se është e rëndësishme “të sigurohemi që njerëzit të kenë furnizime thelbësore për të paktën 72 orë në një krizë”.
Ajo renditi ushqimin, ujin, elektrik dore, letrat e identitetit, ilaçet dhe radiot me valë të shkurtra si gjëra që duheshin rezervuar.
Lahbib tha se BE-ja duhet të krijojë një “rezervë strategjike” dhe të grumbullojë burime të tjera kritike, duke përfshirë avionët e zjarrfikësve; pajisje mjekësore, energjitike dhe transportuese; dhe mjete të specializuara kundër kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Vitin e kaluar, Suedia përditësoi këshillat e saj emergjente civile të epokës së Luftës së Ftohtë “për të pasqyruar më mirë realitetin e politikës së sotme të sigurisë” si p.sh. çfarë duhet bërë në rast sulmi bërthamor.