Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE: X po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara

Platforma X e miliarderit, Elon Musk, po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara dhe po shkel rregullat e përmbajtjes të Bashkimit Evropian, tha Brukseli më 12 korrik, njoftim që mund të çojë në gjoba të majme.

Rregullatorët e BE-së nuk janë të kënaqur me sistemin e verifikimit të llogarive në X, nën pronësinë e Muskut, pasi që kushdo që ka abonim premium mund të verifikojë llogarinë. Më herët, para se Musk të blinte platformën – që paraprakisht quhej Twitter – llogaritë e verifikuara ishin të rezervuara për liderët, kompanitë dhe gazetarët, pas miratimit.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Vërejtja zyrtare ndaj platformës X është e para që bëhet sipas Aktit të shërbimeve digjitale (DSA), një ligj që detyron kompanitë digjitale të bëjnë më shumë për të kontrolluar përmbajtjen online. Vërejtja u bë pasi rregullatorët nisën një hetim dhjetorin e vitit të kaluar.

X bëhet kompania e tretë që përballet me vërejtje të BE-së për shkelje të rregullave të reja, pasi Brukseli paralajmëroi kompanitë Apple dhe Meta që të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë ose do të përballen me gjoba masive për shkelje të ligjit të dytë të njohur si Akti i tregjeve digjitale (DMA).

Musk e bleu platformën e mediave sociale Twitter në tetor të vitit 2022 dhe më pasi ai ndryshoi emrin.

Por, planet e tij për kompaninë X e kanë përplasur me BE-në, pasi blloku dëshiron që kompanitë e mëdha të teknologjisë të bëjnë më shumë për të mbrojtur përdoruesit online dhe të rrisin konkurrencën në sferën digjitale.

Tani, Komisioni Evropian në vlerësimin fillestar për platformën X tha se kompania “po shkel” DSA-në, duke argumentuar se rrjeti social “po mashtron” përdoruesit me rregullat për verifikimin e llogarive.

“Pasi që kushdo mund të abonohet dhe të marrë statusin e ‘verifikimit’, kjo ka efekte negative në aftësinë e përdoruesve që të marrin vendime të lira dhe të mirinformuara për autenticitetin e llogarive dhe përmbajtjes me të cilët ata ndërveprojnë”, u tha në deklaratë.

“Ka dëshmi se një gjë e tillë motivon aktorët dashakeq që të abuzojnë me ‘llogaritë e verifikuara’ për të mashtruar përdoruesit”, u tha në deklaratë.

KE-ja po ashtu akuzon kompaninë X se ka dështuar të respektojë rregullat sa i përket transparencës së reklamimit, pasi kompania nuk ofron një bazë të të dhënash “ku mund të bëhen kërkime dhe që është e besueshme”. Po ashtu, blloku thotë se kompania e Muskut nuk u ka dhënë qasje hulumtuesve në të dhëna publike.

“X tani ka të drejt të mbrohet. Por, nëse vlerësimi ynë konfirmohet, ne do të vendosim gjoba dhe do të kërkojmë ndryshime të mëdha”, tha zyrtari i lartë i BE-së për fushën digjitale, Thierry Breton.

Sipas DSA-së, gjobat mund të shkojnë deri në 6 për qind të fitimeve vjetore të një kompanie në mbarë botën dhe ta detyrojë atë të bëjë ndryshime për të adresuar shkeljet.

X mund të analizojë vërejtjet e BE-së dhe të mbrojë veten.

Sipas rregullave, nuk ka afat kohor se sa mund të zgjasë një hetim.

X është një prej 25 platformave të mëdha online me mbi 45 milionë përdorues aktivë në muaj në 27 shtetet e BE-së./rel