Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka shpalosur programin e tij qeverisës në Obiliq. Ai para qytetarëve të kësaj komune u zotua se nën qeverisjen e tij vendi do të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik, rritje të pagave dhe pensioneve.
Përveç kësaj, Hamza tha se qeveria aktuale nuk ka prodhuar rezultate në asnjë sektor derisa përmendi faktin se Kosova gjendet nën sanksione të Bashkimit Evropian.
Hamza: Kam qenë përkrahës që Obiliqi ta ketë ligjin
“Obiliqi nuk është thjesht veç një vend, por zemra e energjisë së Kosovës. Ju i jepni dritë krejt Kosovës. Po, kam qenë përkrahës, kam qenë mbështetës që Obiliqi ta ketë ligjin. Që Obiliqi të përfitojë nga kjo që i jep dritë gjithë Kosovës. Jam i bindur që kjo nuk është mjaftueshëm dhe do të bëhet edhe më shumë”, tha Hamza.
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja tha se në mandatin e tij qeverisës do të themelohet Fondi për papunësinë për të ndihmuar qytetarët që humbin e vendin e punës.
Hamza: Vizioni im bazohet në zhvillimin ekonomik për qytetarët
“Vizioni im bazohet në zhvillimin ekonomik. Ekonomia duhet zhvillohet. Biznesi duhet të përkrahet. Ambienti për biznese duhet me qenë më miqësor. Neve na nevojitet arsim modern për të ardhmen. Kur jemi te familjet, sepse te biznesi nuk i kemi qëllim veç pronarët, por i kemi qëllim edhe të punësuarit në sektorin privat, që ata të kenë rroga më të mira dhe jetë më me dinjitet, ta themelojmë gjykatën e punës, do ta themelojmë fondin e papunësisë që në rast se dikush e humb vendin e punës ai apo ajo të paguhet për periudhë të caktuar kohore që të mos përfundojë në asistencë sociale. Kur jemi te mirëqenia, qëllimi jonë është që ta kthejmë standardin e jetesës te qytetarët e Kosovës. Çmimet janë rritur 40-100 për qind. Edhe mielli, vaji, kafja, qaji edhe energjia elektrike dhe të gjitha. Çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur të njëjta. Qytetarët jetojnë sot më varfër”, potencoi Hamza.
Hamza kritikoi pushtetin aktual për ngecje në zhvillimin e të gjithë sektorëve dhe vendosjen e sanksioneve nga BE-ja, duke thënë se kjo gjendje duhet të ndryshojë me përkrahjen e votuesve ditën e zgjedhjeve.
Hamza: 31 dhjetori nuk më zë në zyrën e kryeministrit po nuk i rrita pagat 50 për qind
“Për kategoritë e dala nga lufta, për familjet e dëshmorëve do të ketë rritje të pensioneve 50 për qind. Për më tepër ne nuk do t’i detyrojmë ta marrin pensionin e pleqërisë apo pensionin e dëshmorit, të dyja, sepse i takojnë. Pensionet bazike, 70 për qind. Pensionet kontribut-dhënëse rritje dhe përshkallëzim. Po, pagat do t’i rrisim 50 për qind. Edhe këtë, jo në fund të mandatit, por në fillim të mandatit. Po që s’e bëj në muajt e parë të mandatit, publikisht e kam dhënë fjalën 31 dhjetor të vitit aktual nuk më zë në zyrën si kryeministër… Studentët, fondin për bursa. Për çiftet e reja 100 euro subvencione për të gjitha ato çifte që nuk kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe publike. Për të ndodhur këto, unë ju lus, me mirësjellje ua kërkoj votën tuaj për numrin 131…Mos harroni , mos i lëni votat në shtëpi, vota është e barabartë edhe e grave edhe e burrave. Më 9 shkurt në mënyrë festive, solemne, masive të dilni dhe votoni numrin 131 dhe të vuloset fitorja Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza.
Kujtojmë, fushata zgjedhore ka hyrë sot në ditën e tetë. Në garë për Kuvendin e ri të Kosovës janë 28 subjekte politike me 1280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.