Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Begaj: Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në Tiranë homologun e tij nga Sllovakia, Peter Pellegrini.

Krerët e dy shteteve diskutuan për zhvillimin e Ballkanit dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Në lidhje me Kosovën, Begaj i shprehu homologut të tij mirënjohje që Sllovakia i ka njohur pasaportat e saj.

“Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për mundësinë e rishikimit të qëndrimit lidhur me Republikën e Kosovës”, u shpreh Begaj.

Begaj, rikonfirmoi se pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës,.

“Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera qe nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument”, tha Begaj.

Sllovakia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën.

Duke marrë si shembull 5 shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Begaj theksoi rëndësinë e vazhdimësisë se dialogut dhe bisedimeve, duke shprehur besimin se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëjë të mundur arritjen e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve.