Gazetari Mirlind Behluli, tha se marrëveshja e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka sjellë as rrugë e as normalizim midis të dyja vendeve.
Behluli tha se krejt çka ka ndodh deri më tani pas propozimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, është një vazhdimësi e krizave dhe tensioneve.
“Kjo marrëveshje nuk ka sjellë as rrugë e as normalizim. Krejt çka kemi ne sot është njëfarë vorbulle e tensioneve të vazhdueshme edhe të krizave të përhershme. Kemi kriza të vogla që ripërsëriten vazhdimisht. Dikur me targat, tani me Elektroseverin, pastaj me Asociacionin. Gjithmonë kriza është kryefjala e normalizimi e normalizimi nuk është as pasojë e krizave”, u shpreh Behluli.
Ndërsa, i pyetur nëse marrëveshja e propozuar është e zbatueshme, Behluli tha se kjo mund të ndodh nëse përputhen interesat e bashkësisë ndërkombëtare, Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij aktualisht nuk po shihet një gjë e tillë.
“Marrëveshja është e zbatueshme nëse përputhen interesat e bashkësisë ndërkombëtare, të Kosovës dhe të Serbisë. Aktualisht nëse e ke një Bashkim Evropian që nuk arrin me i obligu palët me e zbatu këtë marrëveshje. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot nuk janë më arbitër përfundimtar që i dëgjohet fjala edhe në Kosovë edhe në Serbi. Sot Shtetet e Bashkuara nuk përbëjnë më forcë që e obligon zbatimin e marrëveshjeve, fatkeqësisht. Tjetra është që edhe Vuçiqi në Beograd, edhe Kurti në Kosovë dëshirojnë me shumë gjasë njëfarë lloj krize të vazhdueshme në veri. Megjithatë, sot vazhdojmë me diskutu qe 3 vjet të qeverisjes së Albin Kurtit veriun, duke i lënë anash krejt problemet e brendshme në qeverisje. E çka për mua është një arritje deri diku, së paku sipërfaqësore në veri është që sot veriu është i pastruar deri në njëfarë mase prej bandave kriminale. Më 2022 Radojiçiqi ka qenë në veri te shtatorja e Car Lllazarit i armatosur. Sot Radojiçiqi edhe nëse hyn në Kosovë, unë nuk them që nuk hyn, mund të hyj por hyn vetëm si ilegal. Nuk është më përfaqësues i Listës Serbe”, tha Behluli.