Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se deklaratat e ministres Gërvalla se opozita do të ketë humbje fatale në zgjedhje nuk i merr seriozisht, pasi sipas tij, ajo i përket një subjekti politik që në sondazhe nuk kanë as 1% të fituara.
“Sa i përket deklaratës së ministres Gërvalla nuk e kisha marrë fare seriozisht sepse vetë ministrja e Jashtme nuk është serioze. Donika i përket një partie, një subjekti politik e cila të gjitha sondazhet nuk e qesin 1% dhe nuk ki çka me potencu një subjekt politik të tillë, kurse PDK është i vetmi subjekt politik që kemi kërkuar të mbahen zgjedhjet duke u bazuar në kërkesën e qytetarëve”, tha deputeti.
Beqa thotë se ministrja Gërvalla ka dështuar në misionin e saj si ministre, pasi nuk ka asnjë sukses në diplomaci.
“Gërvalla ka deshtuar në misionin e saj si ministre, nuk ka pas asnjë sukses në diplomaci, përkundrazi i ka mbyllur ambasadat, aktivitetet në to, nuk ka përfaqësim dinjitoz edhe pse Kosova ka kuadro të mjaftueshëm. I kemi parë që në shumë ambasada kemi ushtrues detyre, diku kanë shumë staf, nuk kanë kushte as për ta përfaqësuar dinjitetshëm Republikën e Kosovës”, tha ai.
Deputeti i PDK-së thotë duke u bazuar në punën dhe mossuksesin e qeverisë aktuale që me të vërtetë do të dështojnë dhe do të kenë rezultate debakël nga këto zgjedhje.
Ai thotë se PDK është e gatshme për zgjedhje dhe presin rezultate në favor të tyre.
“Jam shumë i bindur, duke u bazuar në punën dhe mossuksesin e qeverisë aktuale që me të vërtetë do të dështojnë dhe do të kenë rezultate debakël nga këto zgjedhje. PDK është e gatshme në çdo kohë për me i mbajtë zgjedhjet dhe presim rezultate shumë të mira në zgjedhjet e ardhshme”, tha Beqa.